Ndërsa fondet për menaxhimin e infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes shënojnë rënie në buxhetin afatmesëm, treguesit zyrtarë të performancës për vitet 2026–2028 parashikojnë përmirësime domethënëse në shërbimet për fermerët dhe mbrojtjen nga përmbytjet, një kontrast që ngre pikëpyetje mbi realizueshmërinë e këtyre objektivave pa financim shtesë.
Sipas planit të shpallur nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, fondi për “Menaxhimin e infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes” kalon nga 2,88 miliardë lekë në vitin 2025 në 2,25 miliardë lekë në 2028.
Rënia është e ndjeshme dhe progresive: në 2027 fondi zbret në 2,25 miliardë lekë dhe ato qëndron edhe për vitin pasadhës. Kjo do të thotë se, në një periudhë kur rrjetet ekzistuese kërkojnë mirëmbajtje intensive dhe zgjerim, burimet financiare po tkurren.
Në kontrast, objektivat e performancës për sektorin parashikojnë rritje të shërbimeve dhe përfitimeve konkrete për fermerët: përqindja e fermerëve që përfitojnë nga përmirësimi i infrastrukturës ujitëse e kulluese synon të rritet nga 76% në 2025 në 79% në 2028.
Synohet gjithashtu që aksesi në ujë për ujitje (kundrejt sipërfaqes potencialisht të ujitshme prej 360 mijë hektarësh) duhet të rritet nga 76% në 78% brenda katër viteve.
Hidrovoret e rehabilituara/ndërtuara pritet të arrijnë në 85% të nevojës totale (14 hidrovorë) që nga viti 2026 e në vijim, nga 80% sa ishte në 2025.
Pastrimi ciklik i rrjetit kryesor kullues (1 herë në 5–6 vjet) duhet të mbulojë 22% të sipërfaqes potencialisht të kullueshme prej 280 mijë hektarësh në 2028, nga 21% në 2025.
Veprat e mbrojtjes nga përmbytjet (argjinatura dhe penele) parashikohet të shtohen nga 41 në 2025 në 45 në 2026, 48 në 2027 dhe 50 në fund të periudhës.
Problematika bëhet edhe më i qartë në kontekstin e ndryshimeve klimatike, ku përmbytjet dhe thatësirat shtojnë presionin mbi rrjetet ekzistuese. Nëse fondet nuk rriten, objektivat rrezikojnë të mbeten në letër, ndërsa nevojat reale të fermerëve për ujitje të sigurt dhe kullim funksional kërkojnë zgjidhje të mbështetura financiarisht./ ekofin.al


