Shqipëria do të jetë vendi i nderit në “ITB Berlin 2025”, që do të mbahet në datat 4-6 mars vitin e ardhshëm.
Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Gjithashtu në faqen zyrtare të panarit qëndron e vendosur logoja e Shqipërisë turistike “ALBANIA ALL SENSES”. Organizatorët e “IT Berlin 2025” shprehen: “Për të gjithë adhuruesit e natyrës! Tani është koha e përsosur për të eksploruar bukurinë e jashtëzakonshme të Shqipërisë. Si shteti mik i “ITB Berlin 2025”, Shqipëria është një destinacion në rritje për entuziastët e aktiviteteve në natyrë, duke ofruar peizazhe mahnitëse të përshtatshme për hiking, rafting, parashutizëm dhe vrojtimin e shpendëve”.
Panairi tërheq një numër të madh vendesh nga e gjitha bota, por kryesisht rajoni dhe Evropa, të cilët ofrojnë shërbimet e tyre turistike dhe kjo është një mundësi e madhe për Shqipërinë për të prezantuar potencialet e saj natyrore.
Aktualisht në vendin tonë operojnë 222 operatorë turistikë dhe 699 udhërrëfyes turistikë kombëtarë dhe 99 udhërrëfyes lokalë.

