Shkencëtarët kanë frikë nga një verë tjetër katastrofike për të korrat, pasi kushtet e thatësirës përkeqësohen në Evropë. Raporti i fundit nga Observatori Evropian i Thatësirës paraqet një pamje shqetësuese të thatësirës në të gjithë Evropën jugore, lindore dhe qendrore.
Gadishulli Iberik përballet me kushtet më kritike me disa paralajmërime të kuqe, rezultat i periudhave të alternuara të thatësirës dhe reshjeve intensive të dimrit dhe pranverës.
Në vitin 2023, Spanja kishte tashmë territorin më të madh të prekur nga thatësira, me 34,000 km katrorë, e ndjekur nga Polonia me 24,000 dhe Lituania me 20,000.
Në të njëjtën kohë, paralajmërimet portokalli janë të pranishme në pjesë të Italisë, Greqisë, Qipros, Polonisë, Bjellorusisë, shumicës së Ukrainës, si dhe në Irlandë, Skoci dhe disa pika në Gjermani dhe Francë.
Shqipëria gjendet në një situatë më të mirë se fqinjët e saj ballkanikë, sa i përket shfrytëzimit të burimeve ujore të ëmbla. Sipas të dhënave, Shqipëria shfrytëzon vetëm 1.16% të burimeve të ujërave të ëmbla në krahasim me burimet totale të disponueshme, ndërkohë që Serbia shfrytëzon 1.27 % dhe Maqedonia e Veriut shfrytëzon 5.8% të burimeve.
Qiproja përballet me një situatë kritike
Sipas Indeksit më të fundit të Shfrytëzimit të Ujit, konsumi i ujit të ëmbël ka arritur një rekord prej 5.8% të totalit të burimeve të disponueshme. Vlerat mbi 20% konsiderohen përgjithësisht si shenjë e mungesës së ujit.
Qiproja përballet me situatën më kritike, me një përdorim 71% të burimeve të ujërave të ëmbla, e ndjekur nga Malta dhe Rumania me përkatësisht 34% dhe 21%.
Letonia, Kroacia, Suedia, Sllovakia, Lituania, Sllovenia, Finlanda dhe Luksemburgu regjistruan të gjitha vlerat e indeksit WEI+ nën 1%, duke treguar se nuk ishin në kushte stresi ujor.


Fajtorët e konsumit të ujit
Duke parë trendin gjatë dekadës 2012-2022, Italia raportoi shkallën më të lartë të rritjes në përdorimin e ujërave të ëmbla me një rritje prej afro 7%, e ndjekur nga Turqia me pothuajse 6% dhe Malta me 4%.
“Nga mesi i shekullit, frekuenca dhe intensiteti i valëve të të nxehtit dhe thatësirës parashikohet të rriten në shumicën e pjesëve të Evropës”, thotë Agjencia Evropiane e Mjedisit.
“Prandaj është e rëndësishme që praktikat e menaxhimit të tokës të përshtaten në mënyrën e duhur dhe në kohën e duhur dhe që BE-ja dhe strategjitë kombëtare të përshtatjes të zbatohen në mënyrë efektive.”
Ndryshimi i përqindjes për përdorimin e ujërave të ëmbla përgjatë dhjetëvjeçarit 2012-2022 për Shqipërinë është – 0.78%, ndërkohë nga vendet e rajonit të marra në studim, Maqedonia e Veriut e ka këtë ndryshim -7.68 %, ndërsa Serbia 0.13%.



“Ujërat e zeza nuk janë problem”
Në mbledhjen e tyre të fundit, vendet Med9 – Franca, Kroacia, Qiproja, Greqia, Italia, Malta, Portugalia, Sllovenia dhe Spanja – hodhën ide për të trajtuar thatësirën, si sistemet inteligjente të ujitjes, teknologjitë e mbrojtjes së të korrave, sistemet e ruajtjes së ujit, si dhe kulturat e modifikuara gjenetikisht.
Por Banka Evropiane e Investimeve ka çelësin që të përshpejtojë riciklimin e ujërave të zeza. “Më shumë se 80% e ujërave të zeza shpërdorohen”, tha ekspertja e ujit në bankë, Maria Diamanti. “Ujërat e zeza nuk janë problem. Është një burim shumë i vlefshëm uji, lëndësh ushqyese dhe energjie. Ne duhet të ndryshojmë mënyrën se si i trajtojmë ato dhe ta bëjmë rikuperimin e burimeve të ujërave të zeza një prioritet.” /Përshtati nga Euronews, ekofin.al

