Në kuadër të Zbatimit të Deklaratës së Sofjes për Agjendën e Gjelbër të Ballkanit Perëndimor (2025–2030), plani i rishikuar i veprimit përcakton objektiva ambicioze për riciklimin e plastikës dhe kalimin drejt ekonomisë rrethore në të gjashtë vendet e rajonit (WB6).
Faza e re e veprimit për ndalimin e plastikës njëpërdorimëshe
Veprimi 22 parashikon që deri në vitin 2030, vendet e Ballkanit Perëndimor të eleminojnë plastikën njëpërdorimëshe (SUPs) dhe të integrojnë zgjidhje rrethore për paketimin plastik në të gjithë rajonin.
Udhërrëfyesi konkret për periudhën 2025–2030
Deri në vitin 2028 vendet e Ballkanit Perëndimor do të miratojnë strategjitë e reduktimit të ndotjes plastike, të harmonizuara me Strategjinë Evropiane për Plastikat. Po kështu, parashikohet që deri në vitin 2028, 5 produktet më ndotëse të plastikës njëpërdorimëshe (që zakonisht përfshijnë qeset plastike, shishet plastike, mbështjellëset e ushqimit, enët plastike si pirunj, lugë, thika) do të ndalohen ose kufizohen ndjeshëm në të paktën 3 nga 6 vendet e rajonit.
Sipas dokumentit, deri në vitin 2028 pritet të jenë funksionale sistemet e Zgjerimit të Përgjegjësisë së Prodhuesit (EPR) për paketimin plastik në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të arrihet një pakësim prej 80% në disponueshmërinë e 5 produkteve më ndotëse SUPs në treg, krahasuar me nivelin bazë të vitit 2023.
Ndërkohë, parashikimi për deri në vitin 2029 është që të paktën 50% e paketimit plastik të jetë e riciklueshme, e ripërdorshme ose e tretshme, ndërsa deri në vitin 2030 të sigurohet 30% përmbajtje plastike e ricikluar në paketimin plastik, në përputhje me objektivat e BE-së.
Për të siguruar arritjen e këtyre objektivave, treguesit e monitorimit dhe verifikimit përshijnë miratimin e strategjive për ndotjen plastike nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë.
Gjithashtu kërkohet reduktimi i plastikës njëpërdorimëshe në treg dhe në mbeturinat bregdetare. Shtetet duhet të kenë sisteme funksionale EPR për paketimin plastik; në çdo paketim duhet të shënohet përqindja e paketimit plastik që është e riciklueshme, e ripërdorshme ose e tretshme; si dhe përqindja e përmbajtjes së ricikluar në shishet plastike të pijeve.
Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhet të monitorojnë dhe raportojnë sasinë vjetore (kg/km²) të mbetjeve plastike në zonat monitoruese detare e bregdetare. Verifikimi do të bëhet përmes strategjive zyrtare, akteve ligjore, raporteve dhe të dhënave të monitorimit.
Arsyetimi dhe rëndësia e veprimit
Ky veprim mbështetet në Deklaratën e Sofjes dhe në Deklaratën e Përbashkët Rajonale të vitit 2023 për Ndotjen Plastike, duke theksuar urgjencën për të frenuar ndotjen plastike në rajon. Qëllimi përfundimtar është që deri në vitin 2030, i gjithë paketimi plastik në Ballkanin Perëndimor të jetë i ripërdorshëm, i riciklueshëm ose i tretshëm, duke reduktuar ndjeshëm ndotjen dhe duke avancuar drejt një ekonomie të qëndrueshme dhe të gjelbër./ekofin.al
