Manekini i një gruaje shtatëzënë dhe një shirit kartmonedhash, ishin simbol që disa aktivistë të shoqërisë civile kishin zgjedhur për të protestuar ndaj vdekjes së dy nënave të reja në martenitet. Vdekja e dy grave brenda një jave për aktivistët tregon se sistemi është në kolaps jo vetëm në kapacitete dhe shërbim, por edhe në një kolaps vlerash dhe mosrespektimi të të drejtave themelore të njeriut.
Ndryshimet në nenin 96, të Kodit Penal në vitin 2019 me uljen e dënimit nga 5 vite në 2 vite për mjekim të pakujdesshëm për aktivistët duhen amenduar pasi rastet janë shtuar.
“Pas ndryshimeve të Kodit Penal në vitin 2019 , neni 96 për mjekim të pakujdesshëm, dënimi është ulur nga gjobë deri në 5 vite burg, në gjobë deri në 2 vite burg, një dënim i pamjaftueshëm dhe qesharak. Ne nuk mund të lejojmë që situata të tilla të përsëriten më.”
Aktivistët janë shprehur se , “Neglizhenca e mjekut vret” e për pasojë duhet trajtuar si krim, së pari ndaj nënës dhe fëmijes, e më pas ndaj të gjithë shoqërisë.
Protesta e ditës së sotme përpara maternitetit “Koço Gliozheni” vjen pasi Etleva Çullhaj humbi jeten në Elbasan pasi kreu një abort, ndërsa dy mjekët u vendosën nën hetim për mjekim të paligjshëm. Ndërkohë, Mimoza Veizaj bëri lindje natyrale më 28 janar por pas tre ditësh pavarësisht ndihmës nga bluzat e bardha, ajo humbi jetën.