Një zonë e diskutueshme pranë Romës do të shndërrohet në fermë diellore, ndërsa Vatikani shtyn përpara tranzicionin e tij të gjelbër.
Italia miratoi të enjten planin e Vatikanit për të kthyer një fushë prej 430 hektarësh në veri të Romës, dikur burim kontestimi mes të dyve, në një fermë të madhe diellore. Selia e Shenjtë shpreson se ajo do të prodhojë mjaftueshëm energji elektrike për të përmbushur nevojat e veta dhe për ta kthyer Qytetin e Vatikanit në shtetin e parë neutral ndaj karbonit në botë.
Sipas një deklarate të Vatikanit, marrëveshja përcakton që zhvillimi i zonës Santa Maria Galeria do të ruajë përdorimin bujqësor të tokës dhe do të minimizojë ndikimin mjedisor në territor.
Nuk u dhanë shumë detaje të tjera, por Vatikani do të jetë i përjashtuar nga pagesa e taksave italiane për importimin e paneleve diellore, ndërkohë që nuk do të përfitojë nga incentivat financiare që u ofrohen qytetarëve italianë kur instalojnë energji diellore.
Nga ana tjetër, Italia mund ta përfshijë këtë fushë në përllogaritjet e saj për të arritur objektivat e Bashkimit Evropian për energji të pastër. Çdo sasi e tepërt e energjisë elektrike e prodhuar nga ferma, përtej nevojave të Vatikanit, do t’i jepet komunitetit lokal, thanë zyrtarët — duke folur në kushte anonimiteti, pasi marrëveshja nuk është publike.
Zyrtarët e Vatikanit kanë vlerësuar se ndërtimi i fermës do të kushtojë më pak se 100 milionë euro dhe se, pasi të miratohet nga Parlamenti italian, kontratat për realizimin e punimeve mund të dalin në tender.
Ministri i jashtëm i Vatikanit, kryeipeshkvi Paul Gallagher, nënshkroi marrëveshjen me ambasadorin italian pranë Selisë së Shenjtë, Francesco Di Nitto.
Parlamenti italian duhet të miratojë marrëveshjen pasi ajo ka pasoja financiare për territorin, i cili ka status ekstraterritorial në Itali.
Ku do të vendoset ferma diellore e Vatikanit?
Zona e Santa Maria Galeria ka qenë prej kohësh burim polemikash për shkak të valëve elektromagnetike të emetuara nga kullat e Radio Vatikanit, që ndodhen aty që nga vitet 1950. Kjo zonë dikur rurale, rreth 35 kilometra në veri të Romës, dominohet nga mbi 20 antena radioje me valë të shkurtra dhe të mesme, të cilat transmetojnë lajme nga Kisha Katolike në dhjetëra gjuhë në të gjithë botën.
Me kalimin e viteve, ndërsa zona u urbanizua, banorët filluan të ankoheshin për probleme shëndetësore, përfshirë raste të leukemisë te fëmijët, për të cilat fajësuan valët elektromagnetike të kullave. Vatikani e mohoi lidhjen shkak-pasojë, por uli ndjeshëm transmetimet.
Në vitet 1990, në kulmin e kontestimeve mbi këto transmetime, banorët paditën zyrtarët e Radio Vatikanit, duke pretenduar se emetimet tejkalonin kufirin ligjor italian, por gjykata e shpalli transmetuesin të pafajshëm. Në vitin 2012, Vatikani njoftoi se do të përgjysmonte orët e transmetimit nga kjo zonë, jo për shkak të shqetësimeve shëndetësore, por për shkak të kursimeve të mundësuara nga transmetimi në internet.
Në vitin e kaluar, Papa Françesku i kërkoi Vatikanit të shqyrtonte mundësinë për ta kthyer këtë zonë në një fermë të madhe diellore, duke dashur të vërë në praktikë predikimet e tij për nevojën e largimit nga karburantet fosile dhe gjetjes së burimeve të pastra dhe neutrale ndaj karbonit.
Papa Leo XIV vizitoi këtë vend në qershor dhe konfirmoi synimin për ta çuar përpara vizionin e Françeskut. Leo ka marrë fuqishëm barrën ekologjike të paraardhësit të tij, duke përdorur së fundmi një set të ri lutjesh dhe leximesh të frymëzuara nga trashëgimia mjedisore e Papës Françesku./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
