Temperaturat e larta dhe ngrohja e ujërave shtojnë rrezikun e infeksioneve si vibrioza, “veshi i notarit” dhe gastroenteriti. Ekspertët japin disa rekomandime të thjeshta për parandalimin e tyre.
Temperaturat shumë të larta jo vetëm që po e bëjnë këtë një nga verat më të nxehta në Europë, por mund të shtojnë edhe rrezikun e infeksioneve që lidhen me ujin, si vibrioza, infeksioni i njohur si “veshi i notarit”, gastroenteriti, si edhe disa infeksione të lëkurës dhe të traktit urinar.
Në kushtet e verave gjithnjë e më të gjata dhe më të nxehta, Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) ka paralajmëruar se disa baktere po gjejnë kushte gjithnjë e më të favorshme për t’u shumuar, veçanërisht në ujërat e ngrohta bregdetare me kripësi të ulët.
Megjithëse rreziku për t’u prekur nga këto infeksione mbetet i ulët, ekspertët theksojnë se disa masa të thjeshta parandaluese mund ta ulin ndjeshëm mundësinë e infektimit gjatë muajve të verës, kur miliona njerëz frekuentojnë plazhet, pishinat, lumenjtë dhe zona të tjera për t’u freskuar.
Vapa favorizon shumimin e baktereve
Sipas ECDC-së, rritja e temperaturës së ujit, e kombinuar me ndryshimet mjedisore dhe shtimin e udhëtimeve gjatë verës, po ndryshon mënyrën se si shpërndahen disa sëmundje infektive në Europë.
Një prej tyre është vibrioza, një infeksion i shkaktuar nga bakteret e gjinisë Vibrio, të cilat gjenden natyrshëm në disa ujëra bregdetare gjatë muajve më të ngrohtë të vitit.
Këto baktere shumohen veçanërisht në zona me kripësi të ulët, si grykëderdhjet e lumenjve dhe estuaret, dhe mund të gjenden gjithashtu në molusqe të pagatuara ose të gatuara jo mjaftueshëm, sidomos te gocat e detit.
Disa lloje, si Vibrio vulnificus, janë bërë të njohura në publik si “baktere mishngrënëse”, pasi në raste shumë të rralla mund të shkaktojnë infeksione të rënda në indet e trupit.
Agjencia europiane ka përditësuar madje edhe një hartë interaktive, e cila tregon zonat ku rreziku i infektimit mund të jetë më i lartë në varësi të kushteve mjedisore.
Kush është më i rrezikuar?
Çdokush mund të preket nga një infeksion, por ECDC vëren se rreziku për forma të rënda të sëmundjes është më i lartë te personat me sistem imunitar të dobësuar, me sëmundje kronike të mëlçisë ose me probleme të tjera shëndetësore ekzistuese.
Për këto grupe është veçanërisht e rëndësishme të tregohet më shumë kujdes gjatë notit dhe konsumimit të produkteve të detit.
Si të shmangni infeksionet gjatë notit
Shumica e rasteve mund të parandalohen me masa shumë të thjeshta. Rekomandimi kryesor i ECDC-së është të shmanget kontakti me ujin nëse keni plagë të hapura, prerje, gërvishtje ose piercing të kryer së fundmi, pasi bakteret mund të hyjnë në trup përmes lëkurës së dëmtuar.
Nëse qëndrimi jashtë ujit nuk është i mundur, rekomandohet mbulimi i plagëve me një fashë plotësisht të papërshkueshme nga uji.
Pas daljes nga uji, këshillohet gjithashtu që çdo prerje ose gërvishtje të lahet me ujë të pastër dhe të freskët, për të ulur rrezikun e infektimit.
Ekspertët rekomandojnë gjithashtu kujdes në konsumimin e molusqeve. Shmangia e gocave të detit dhe molusqeve të tjera të pagatuara ose të gatuara jo mjaftueshëm, si edhe gatimi i plotë i produkteve të detit, ndihmojnë në parandalimin e infeksionit nga bakteret Vibrio. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al
