E Ngarkuara me Punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy VanHorn zhvilloi një mëngjes pune me Bordin Drejtues të Dhomës Amerikane të Tregtisë (AmCham).
Në një postim në rrjetet sociale, ambasada e SHBA-së, bën të ditur se në takim u diskutua për mjedisin e biznesit, sundimin e ligjit, procesin e integrimit të vendit në BE dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Dhomës dhe Ambasadës për të përmirësuar mjedisin e biznesit për investime të brendshme dhe të huaja.
VanHorn vlerësoi përpjekjet e Dhomës Amerikane për lobim në përmirësimin e kuadrit rregullator dhe nxitjen për një proces konsultimi publik transparent dhe efektiv mbi legjislacionin që lidhet me biznesin.
E ngarkuara me Punë e SHBA premtoi mbështetje të vazhdueshme nga ambasada për përpjekjet e AmCham në nxitjen e një klime pozitive investimi, e cila është një kusht thelbësor për rritjen e investimeve amerikane në Shqipëri. AmCham është një nga Dhomat e Biznesit me rol tepër aktiv në vend, e themeluar 24 vite më parë, e cila hera pas here publikon studime, anketime dhe vëzhgime lidhur me klimën e biznesit, investimet e huaja, problematikat dhe vështirësitë që hasin anëtarët e saj, si edhe çështje të tjera.

