Teksa Europa përballet me temperatura në rritje dhe kërkesë të shtuar për energji, rrjetet elektrike luftojnë për të mbajtur dritat ndezur pa përkeqësuar emetimet.
Këtë verë, Europa është goditur sërish nga një seri valësh të nxehtësisë intensive dhe të përhapura. Vetëm këtë javë, rekorde temperaturash janë thyer në jug-perëndim të Francës, Kroaci dhe Hungari, me disa rajone që kanë përjetuar mbi 40°C. Me ndryshimet klimatike që i bëjnë valët e nxehtësisë më të shpeshta dhe më të forta, kërkesa për energji po rritet teksa njerëzit përpiqen të freskohen. Ndërkohë, temperaturat e larta po minojnë furnizimin me energji, veçanërisht nga termocentralet që mbështeten në ujërat e lumenjve për ftohje.
Ekspertët paralajmërojnë se valët e nxehtësisë po e vënë rrjetin elektrik të kontinentit nën stres të madh. Ata thonë se sistemet energjetike duhet të përshtaten urgjentisht, duke rritur fleksibilitetin dhe duke kaluar drejt energjisë së rinovueshme për të shmangur përdorimin e karburanteve fosile ndotëse. Qeveritë përballen gjithashtu me sfidën e menaxhimit të valëve të nxehtësisë pa ndërprerje dhe pa rritur emetimet.
Konsumi i energjisë rritet ndërsa njerëzit përpiqen të freskohen
Sipas Pawel Czyak, drejtor i politikave europiane në think-tank-un e energjisë Ember, valët e fundit të nxehtësisë janë një “kujtesë e ashpër” që sistemi energjetik europian duhet të përgatitet për temperatura gjithnjë e më ekstreme. Analiza e tyre për valën e korrikut tregoi se kërkesa për energji arriti kulme verore nga përdorimi i kondicionerëve. Në Spanjë, konsumi u rrit me 14%. Gjermania dhe Franca panë rritje gjatë orëve të pikut, duke vënë operatorët nën alarm.
Numri i kondicionerëve në BE pritet të rritet nga më pak se 7 milionë në 1990 në mbi 100 milionë deri në vitin 2030. Megjithatë, ato përbëjnë vetëm 0.6% të konsumit të energjisë shtëpiake. Italia është përdoruesja më e madhe në BE, duke përfaqësuar një të tretën e konsumit total, e ndjekur nga Greqia, Franca, Spanja dhe Gjermania.
Presioni mbi termocentralet dhe centralet bërthamore
Valët e nxehtësisë jo vetëm që rrisin kërkesën, por reduktojnë prodhimin nga disa burime energjie. Këtë verë, disa shtete europiane kanë ulur prodhimin ose kanë mbyllur reaktorë bërthamorë. Midis 28 qershorit dhe 2 korrikut, 17 nga 18 centralet bërthamore franceze përjetuan reduktime ose mbyllje. Arsyeja: për ftohjen përdoret ujë nga lumenjtë, i cili gjatë valëve të nxehtësisë është tashmë shumë i ngrohtë, duke kufizuar aftësinë për ftohje dhe duke rrezikuar biodiversitetin lokal.
Edhe rrjeti elektrik vetë, i ndërtuar për kushte më të buta, e ka të vështirë t’i përballojë temperaturat ekstreme. Në fillim të korrikut, ndërprerje energjie prekën Romën, Firencën, Bergamon dhe Milanon, pasi kabllot nën tokë u zgjeruan dhe u mbinxehën.
A mund të ndihmojnë burimet e rinovueshme?
Edhe pse valët e nxehtësisë e shtojnë kërkesën, ato sjellin edhe prodhim më të madh nga dielli. Qershori 2025 shënoi prodhimin më të lartë mujor të energjisë diellore në BE, duke arritur mbi 40% në Holandë dhe 35% në Greqi. Ky “shtysë diellore” ndihmoi të shmangeshin ndërprerjet gjatë pikut të kondicionerëve.
Megjithatë, prodhimi i erës ra ndjeshëm në Finlandë dhe Mbretërinë e Bashkuar, duke rritur varësinë nga hidrocentrale dhe gazi. Këto ekstreme tregojnë rolin gjithnjë e më të madh të energjisë diellore për rezistencën ndaj valëve të nxehtësisë, por edhe se energjitë e rinovueshme nuk janë “zgjidhje magjike” pa sisteme magazinimi dhe rrjete inteligjente./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

