Autoritetet deklarojnë se trajtimi financiar për ushtarakët rritur ndjeshëm. Përmes një publikimi në rrjetet sociale, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ndau disa nga shifrat e rritjes së pagave, shpërblimeve dhe përfitimeve të tjera për ushtarakët, sipas kategorive.
Pilotët, Forcat Speciale, Zhytësit, Forcat Komando dhe shumë kategori të tjera përfitojnë rritje page nga 13.000 – 100.000 lekë. Gjithashtu, shtesa për kushte të veçanta pune për pilotët ishte 80.000 lekë, bëhet 100.000 lekë.
Shtesa e pagës për njësinë ushtarake të sigurisë kibernatike, nga 50.000 lekë, bëhet 70.000 lekë. Gjithashtu, shtesa e pagës për efektivët e Agjencisë së Sistemeve të Ndërlidhjes dhe Informacionit (ASNI), nga 35.000 lekë, bëhet 40.000 lekë, thekson Ministri i Mbrojtjes.
Gjithashtu, ai veçon investimet në kapacitetet njerëzore, me fokus trajtimin dinjitoz të efektivëve ushtarakë dhe rritjen e nivelit të tyre profesional. Rreth 6.000 ushtarakë, ndër të cilët 2.500 për herë të parë, tashmë trajtohen zyrtarisht me shtesa të konsiderueshme financiare.
Përfitime të veçanta financiare do të kenë kapacitetet kombëtare si Forcat Speciale, pilotët, inxhinierët dhe teknikët e mirëmbajtjes, njësia kibernetike, operatorët e dronëve, forcat e dedikuara për emergjencat civile dhe shumë njësi të tjera të rëndësishme.
Qeveria shqiptare dhe Ministria e Mbrojtjes mbeten të përkushtuara për të rritur trajtimin financiar të efektivëve të Forcave të Armatosura çdo vit, duke synuar përafrimin me nivelin mesatar të vendeve të Aleancës së NATO, thekson Vengu.