Hyjnë në fuqi rregullat e detajuara për regjistrat e hyrjeve dhe daljeve nga operatorët që mbajnë produkte vere në ushtrimin e tregtisë së tyre.
Urdhri i ministrit të Bujqësisë përcakton si operatorë prodhuesit, mbushësit e shisheve, përpunuesit dhe tregtarët. Regjistri përkufizohet si dokumenti ku riregjistrohen të gjitha veprimet e hyrjes dhe daljes së produkteve të verës, si dhe proceset teknike që kryhen në ambientet e operatorëve.
Sipas urdhrit, çdo person fizik ose juridik që mban produkte vere në ushtrimin e aktivitetit të tij është i detyruar të mbajë regjistrin e hyrjeve dhe daljeve. Në të duhet të pasqyrohen hyrja dhe dalja e çdo sasie vere, kategoria e produktit sipas ligjit, si dhe të gjitha veprimet enologjike që kryhen në mjediset e operatorit. Për çdo shënim, operatorët duhet të disponojnë dokumente shoqëruese ligjore ose tregtare që provojnë lëvizjen e mallrave.
Regjistri mund të mbahet në formë fizike, me fletë të numëruara, ose në formë elektronike, në përputhje me rregullat e detajuara të përcaktuara në urdhër. Dokumentet shoqëruese për çdo hyrje ose dalje janë të detyrueshme dhe duhet të ruhen së bashku me regjistrin.
Operatorët janë të detyruar të deklarojnë praktikat enologjike, përpunimet dhe trajtimet e aplikuara, në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Vreshtarisë dhe Verës (OIV). Urdhri parashikon regjistrim të posaçëm për një sërë trajtimesh, përfshirë korrigjimin e forcës alkoolike, pasurimin, acidifikimin dhe deacidifikimin, trajtimet me qymyr enologjik, përdorimin e ferrocianidit të kaliumit, elektrodializën, shtimin e dimetildikarbonatit, përdorimin e copëzave të lisit, si dhe praktikat eksperimentale enologjike.
Në regjistër duhet të pasqyrohen gjithashtu përzierja dhe kupazhimi, mbushja e shisheve, prodhimi i verërave të gazuara, i verës së fortifikuar likeroze, i mushtit të rrushit të përqendruar, përpunimi për distilim dhe kalimi i produktit në kategori të tjera, si vera e aromatizuar. Në rastin e mbushjes së shisheve, kërkohet të specifikohet numri i kontejnerëve dhe përmbajtja e tyre.
Llogaritë e veçanta sipas kategorive të verës dhe produkteve ndihmëse
Urdhri kërkon mbajtjen e llogarive të ndara për çdo kategori vere, duke dalluar verërat me emërtim origjine të mbrojtur, me tregues gjeografik të mbrojtur, verërat monovarietale dhe shumëvarietale, si dhe produktet që nuk përputhen me praktikat enologjike dhe që duhet të asgjësohen. Gjithashtu, kërkohet regjistrim i veçantë për saharozën, mushtin e rrushit të përqendruar, produktet për acidifikim dhe deacidifikim, distilatet dhe nënproduktet e verës.
Gjithashtu, në dokument përcaktohen kufijtë maksimalë të pranueshëm për humbjet nga avullimi deri në 1.5% në vit, ndërsa për maturimin ose vjetrimin në enë druri lejohet deri në 4%. Humbjet që tejkalojnë tolerancat e parashikuara gjatë transportit duhet të raportohen me shkrim autoritetit kompetent jo më vonë se dita e tretë e punës pas konstatimit. Rastet e forcave madhore, si thyerje apo vjedhje, nuk konsiderohen humbje, por duhet të njoftohen menjëherë dhe të pasqyrohen në regjistër.
Konsumi familjar dhe afatet e shënimeve
Konsumi personal i prodhuesit dhe familjes së tij duhet të shënohet si “konsum familjar” dhe nuk mund të kalojë 10 hektolitra verë në vit për prodhues. Afatet për shënimin e të dhënave janë të përcaktuara qartë, duke varion nga dita e punës pas veprimit deri në ditën e tretë të punës, në varësi të llojit të veprimit apo humbjes.
Sipas rregullave, regjistri mbyllet një herë në vit, në ditën e fundit të vitit të verës, me hartimin e bilancit vjetor dhe inventarit të stoqeve. Dokumentet dhe regjistrat duhet të ruhen për të paktën pesë vjet pas mbylljes së llogarive përkatëse./ekofin.al

