Situata në aksin kombëtar pranë zonës “Arrat e Gurrës”, në fshatin Dragostunjë të Librazhdit, është përkeqësuar ndjeshëm, pasi ura në këtë segment ka pësuar dëmtime të konsiderueshme dhe është shpallur zyrtarisht e pakalueshme. Vendimi vjen në një moment kur i gjithë segmenti Librazhd–Prrenjas është nën presion nga lëvizjet masive të tokës dhe problematikat gjeologjike që kanë prekur zonën ditët e fundit.
Sipas Drejtorit të Autoriteti Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, struktura e urës ka humbur parametrat e sigurisë, duke e bërë të pamundur qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve mbi të. Në këto kushte, është marrë vendimi për demontimin e saj si masë emergjente, me qëllim shmangien e çdo rreziku të mundshëm për jetën dhe sigurinë publike.
Dëmtimet në këtë segment janë shkaktuar si pasojë e lëvizjeve të tokës dhe destabilizimit të terrenit, çka ka krijuar një situatë të ndërlikuar në një aks me rëndësi strategjike për qarkullimin kombëtar. Segmenti në fjalë shërben si nyje lidhëse për zonën e Librazhdit dhe më gjerë, duke përballuar fluks të konsiderueshëm të transportit të mallrave dhe lëvizjes së qytetarëve.
Autoritetet bëjnë me dije se paralelisht me demontimin e urës po shqyrtohen alternativa për zgjidhje provizore, përpara se të nisë ndërtimi i një strukture të re. Megjithatë, edhe pse nuk është dhënë një afat zyrtar nga ARRSH, burime teknike sugjerojnë se bllokimi i plotë i segmentit, sidomos për shkak të rrezikut të shembjes së plotë të urës ekzistuese, pritet të zgjasë me muaj, deri në realizimin e një ure të re.
Kjo situatë ka pasoja të drejtpërdrejta jo vetëm për qarkullimin rrugor, por edhe për aktivitetin ekonomik të zonës. Ndërprerja e një aksi të tillë rrit kostot e transportit, zgjat kohën e furnizimeve dhe krijon pasiguri për bizneset që operojnë në këtë korridor. Për më tepër, devijimet e përkohshme rrezikojnë të mbingarkojnë segmente të tjera rrugore, duke shtuar presionin mbi infrastrukturën ekzistuese.
Ngjarja rikthen në vëmendje problematikën e qëndrueshmërisë së infrastrukturës rrugore në zona me risk të lartë gjeologjik, si dhe nevojën për investime më të thelluara në studime gjeoteknike dhe masa parandaluese. Në kushtet kur ndryshimet klimatike po intensifikojnë fenomenet ekstreme, infrastruktura duhet të projektohet dhe mirëmbajtët me standarde më të larta rezistence.
Deri në një njoftim të dytë, segmenti mbetet i bllokuar dhe përdoruesit e rrugës duhet të ndjekin devijimet e përcaktuara nga strukturat përkatëse. Situata mbetet serioze dhe kërkon ndërhyrje të shpejtë, të koordinuar dhe me financim të garantuar për të rikthyer sa më parë normalitetin në këtë nyje të rëndësishme rrugore kombëtare./ekofin.al
