Integrimi në Bashkimin Evropian mund të kthehet në një test të fortë për bizneset shqiptare. Përmbushja e standardeve të reja nuk do të kërkojë vetëm ndryshime ligjore, por investime konkrete në teknologji, certifikim, eficiencë energjetike dhe gjurmueshmëri.
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Industrial (UNIDO) paralajmëron se për ndërmarrjet që nuk arrijnë të përshtaten, veçanërisht ndërmarrjet e vogla e të mesme (SME-të), procesi mund të përfundojë me dalje nga tregu ose konsolidim, në vend të modernizimit.
Në raportin “Analizë Diagnostike e Sektorit Industrial – Shqipëri”, organizata e quan anëtarësimin në BE një “testim industrial i qëndrueshmërisë” me afat të kufizuar. Sipas analizës, përfitimet nga hyrja në tregun evropian nuk vijnë automatikisht: vendet që kanë hyrë në BE me një bazë prodhuese më të fortë, infrastrukturë cilësie dhe kapacitete eksportuese kanë qenë në gjendje të përfitojnë më shumë nga integrimi. Shqipëria, ndërkohë, hyn në këtë proces me intensitet të ulët të prodhimit dhe integrim të kufizuar në zinxhirët e vlerës.
Problemi kryesor, sipas UNIDO-s, nuk është më vetëm transpozimi i legjislacionit evropian. Bizneset duhet të jenë në gjendje të provojnë se produktet e tyre plotësojnë standardet e kërkuara, se proceset e prodhimit respektojnë kriteret mjedisore dhe të eficiencës së energjisë dhe se produktet mund të gjurmohen. Sistemet vendase të certifikimit, vlerësimit të konformitetit dhe zbatimit të standardeve konsiderohen ende të pabarabarta, duke krijuar paqartësi për kostot dhe kohën që do t’u duhet kompanive për t’u përshtatur.
Presioni pritet të jetë më i madh mbi ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. UNIDO vëren se infrastruktura e cilësisë në Shqipëri mbetet pjesërisht e pazhvilluar dhe kompanitë detyrohen në disa raste të përdorin shërbime certifikimi jashtë vendit, duke shtuar kostot dhe duke vështirësuar hyrjen në treg, sidomos për SME-të. Problemi shkon përtej eksportit: edhe sektorë si turizmi dhe ndërtimi mbështeten në produkte të importuara kur ka shqetësime për cilësinë dhe qëndrueshmërinë e furnizimit vendas.
Po kështu, filtër tjetër do të jenë politikat e reja evropiane, përfshirë CBAM-in, kërkesat e eko-dizajnit dhe raportimin e qëndrueshmërisë. Shqipëria ka avantazhin e një sistemi elektrik të mbështetur gjerësisht te burimet e rinovueshme, por UNIDO thotë se eficienca e dobët e energjisë, monitorimi i kufizuar i emetimeve dhe mangësitë në infrastrukturën e cilësisë e pengojnë industrinë ta kthejë këtë avantazh në konkurrueshmëri.
Organizata thekson se përshtatja me standardet evropiane duhet të ndodhë shpejt dhe shumë kompani konsiderohen ende të papërgatitura. Pa mbështetje dhe koordinim të mjaftueshëm, UNIDO vlerëson se procesi mund të sjellë dalje të kompanive nga tregu, humbje konkurrence dhe dobësim të mëtejshëm të bazës prodhuese. Shqipëria rrezikon kështu të hyjë në tregun unik me një strukturë prodhuese të brishtë dhe me varësi më të lartë nga importet./ekofin.al
