Punimet në Unazën e Madhe të Tiranës parashikohet të përfundojnë brenda këtij viti.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ndau në rrjete sociale momente nga puna që po vijon në disa drejtime kryesore të këtij projekti.
Aktualisht në Lotin e parë të kësaj vepre është realizuar mbi 52% e punimeve, si dhe në kantierin e quajtur “Urat mbi lumin e Tiranës” është realizuar 70.3% e investimit.
“Edhe 3 muaj” shkruan Balluku në rrjetet sociale.
Balluku tha se, “Unaza e Madhe e Tiranës do të jetë gati në fund të këtij viti, duke përmbyllur kështu një ndër projektet më të rëndësishëm të infrastrukturës në vend”.
Unaza e Madhe e kryeqytetit përbën një segment rrugor të gjerë dhe me standarde, mbi 27 kilometra të gjatë.
Ndërtimi i Unazës lehtëson trafikun dhe shkurton distancat, sidomos për mjetet që kalojnë tranzit në Tiranë, apo lëvizin nga periferia jashtë Tiranës. Kjo unazë do të bëjë të mundur një shpërndarje të trafikut dhe do të ndikojë në shfryrjen e trafikut që zakonisht është i rënduar në zonat brenda vijës së verdhë dhe në qendër të kryeqytetit.
Në të gjitha zonat ku kalon, ky segment rrugor rrit vlerën e pronave dhe të investimeve të banorëve të komuniteteve.
