Është shtyrë për nesër, e mërkurë, dt 8 Janar, mbledhja e paralajmëruar e Bordit të Entit Rregullator të Energjisë, ku pritet të merret vendimi për uljen e çmimit të energjisë elektrike për abonentët familjarë. Njoftimi është bërë i ditur nga ERE, por pa specifikuar arsyet e shtyrjes së mbledhjes për nesër, në orën 11:00.
Një nga pikat kryesore të rendit të ditës mbetet diskutimi “Mbi çmimin e shitjes me Pakicë për Klientët e Sherbimit Universal për periudhën 1 shkurt 2025 – 31 dhjetor 2025”.
Nga 1 janari i vitit 2015, për familjarët aplikohen tarifa të njësuara të energjisë, të cilat janë 9.5 lekë pa TVSH, ose 11.4 lekë, me TVSH. Përpara se ERE të vendoste për njësimin e këtyre tarifave për konsumatorët familjarë, ato ishin 7.7 lekë për konsumin e energjisë deri në 300 kilovat dhe 13.5 lekë për çdo sasi energji të konsumuar mbi pragun e 300 kilovat.
Ekofin.al mëson se një nga modelet më të mundshme në diskutim dhe që pritet të miratohet është ai i rikthimit të tarifimit të energjisë me fasha. Megjithatë, do të jetë ERE që do të vendosë nëse do të kemi një aplikim të ngjashëm me atë të 10 viteve më parë, apo nëse do të kemi mënyra të reja tarifimi. /ekofin.al
