Ulja e paralajmëruar e çmimit të energjisë elektrike pritet të nisë zbatimin nga data 1 shkurt. ERE njoftoi se do të zhvillojë një mbledhje të posaçme ditën e nesërme, ku pika e parë e rendit të ditës është diskutimi “Mbi çmimin e shitjes me Pakicë për Klientët e Sherbimit Universal për periudhën 1 shkurt 2025 – 31 dhjetor 2025”.
Ashtu siç është paralajmëruar më herët edhe nga Zv.kryeministrja dhe Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, në diskutim do të jetë ulja e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë.
Nga 1 janari i vitit 2015, për familjarët aplikohen tarifa të njësuara të energjisë, të cilat janë 9.5 lekë pa TVSH, ose 11.4 lekë, me TVSH. Përpara se ERE të vendoste për njësimin e këtyre tarifave për konsumatorët familjarë, ato ishin 7.7 lekë për konsumin e energjisë deri në 300 kilovat dhe 13.5 lekë për çdo sasi energji të konsumuar mbi pragun e 300 kilovat.
Dhjetë vite pas njësimit të çmimit, tashmë pritet sërish një ulje e tij, por ende nuk dihet sesa do të jetë tarifa e re që pritet të miratojë ERE ditën e nesërme dhe nëse do të ketë apo jo një rikthim të tarifimit me fasha, i cili kur u ndryshua 10 vite më parë, u bë me argumentin se linte vend për abuzime. /ekofin.al
