Numri i aksidenteve në pesëmujorin e parë të vitit 2022, u ul me 11.7 %.
Sipas raportit të publikuar sot nga INSTAT-i, në periudhën janar-maj numërohen 483 aksidente rrugore nga 547 aksidente, të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë, rënie shënoi edhe numri i të aksidentuarve. 5-mujorin e parë të këtij viti, numërohen 680 të aksidentuar nga 714 persona të aksidentuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Edhe numri i të vdekurve shënoi ulje. Në pesëmujorin e parë të vitit 2022, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 75 persona, nga 90 persona të vdekur në pesëmujorin e parë të vitit 2021.
Në pesëmujorin e parë të vitit 2022, aksidentet rrugore, në 13,3 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur me 36,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

