Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se Kosova ka ulur nga 500 në 300 euro kufirin e pagesave me para të gatshme ndërmjet bizneseve, me qëllim të parandalimit të financimit të paligjshëm dhe rritjes së gjurmueshmërisë së transaksioneve financiare.
Murati i bëri këto deklarata në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Financave në kuadër të Procesit të Berlinit, me temën “Beyond Compliance – Ndërtimi i ekonomive të qëndrueshme përmes integritetit financiar”.
Ai tha se pagesat me para të gatshme mund të jenë të vështira për t’u gjurmuar dhe, për këtë arsye, mund të shfrytëzohen për financim të paligjshëm.
“Një nga mënyrat më të thjeshta për të vepruar, një masë që mund të zbatohej relativisht lehtë, ishte trajtimi i çështjes së pagesave me para të gatshme. Këto pagesa zakonisht nuk mund të gjurmohen, ose gjurmimi i tyre është i vështirë, dhe ato mund të përdoren për financim të paligjshëm”, tha Murati.
Ai bëri të ditur se për transaksionet ndërmjet bizneseve dhe konsumatorëve, kufiri i pagesave me para të gatshme është 2.000 euro, ndërsa pagesat mbi këtë shumë duhet të realizohen përmes transaksioneve të gjurmueshme në institucione financiare të licencuara në Kosovë.
Murati përmendi edhe zhvillimet në fushën e rregullimit të operatorëve të këmbimit që përdorin kriptovaluta, duke theksuar se Banka Qendrore e Kosovës ka ndërmarrë hapa për t’i vënë ata nën kontroll dhe për t’i licencuar.
Sipas tij, këto masa mund të kontribuojnë në digjitalizimin dhe transparencën e transaksioneve, si dhe në forcimin e konkurrencës së ndershme dhe formalizimin e aktivitetit ekonomik.
Megjithatë, ministri theksoi se luftimi i financimit të paligjshëm kërkon bashkëpunim ndërmjet shteteve, pasi paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme mund të kalojnë lehtësisht përtej kufijve. /buletini ekonomik
