Ndërtesat e banimit mund të mbikëqyren nga sistemet e kamerave (sistemet CCTV) vetëm nëse ka miratimin e 75% të banorëve në përputhje me legjislacionin në fuqi për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit.
Udhëzimi i ri i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale përcakton se të dhënat e ruajtura në sistemin e videosurvejimit si imazhet apo tinguj në sistemin e mbikëqyrjes me kamera CCTV, janë të dhëna personale, me kusht që një individ të mund të identifikohet drejtpërdrejt ose tërthorazi bazuar në këto regjistrime.
Një individ është i identifikueshëm, nëse imazhi ose tingulli, që regjistrohet në këto sisteme, zbulon karakteristika dalluese të tij, si: fytyra, tiparet fizike, të dhënat e zërit etj., duke bërë të mundur identifikimin e plotë kur krahasohen me të dhëna të tjera të disponueshme.
Instalimi dhe përdorimi i sistemeve CCTV, që përpunojnë të dhënat personale, duhet të jetë në përputhje me të drejtat themelore të njeriut, si e drejta për jetën private, familjare dhe e drejta për mbrojtjen e të dhënave personale.
Regjistrimet e ruajtura në sistemin CCTV, që përmbajnë të dhëna personale, nuk mund të shpërndahen, përveç rasteve kur parashikohet me ligj.
Sipas udhëzimit, përpunimi i të dhënave personale, përmes sistemit të CCTV përbën një ndërhyrje serioze në jetën private të individit. Kontrolluesi mund të përpunojë këto të dhëna vetëm kur legjitimohet sipas ligjit.
Interesi i ligjshëm në funksionimin e një sistemi CCTV, nënkupton që: kontrolluesi ka të drejtë të vendosë se kush lejohet të hyjë dhe të qëndrojë brenda zonës nën vëzhgim (e drejta mbi ambientin); ose për të mbrojtur nga rreziku nga vjedhja ose kërcënimi për sigurinë fizike ose mendore të personave që qëndrojnë brenda zonës së mbikëqyrur etj. Ndalohet instalimi i një sistemi CCTV, në ambiente që përdoren ekskluzivisht për qëllime private, si: tualete, dushe, dhoma zhveshje etj.
Për më tepër, udhëzimi përcakton se këto të dhëna duhet të ruhen për një afat sa më të shkurtër të jetë e mundur dhe rrethi i personave që kanë akses në të dhënat e regjistruara duhet të kufizohet e të jetë sa më i ngushtë të jetë e mundur.
Gjithashtu kontrolluesve u ndalohet mbikëqyrja dhe transmetimi në kohë reale i imazheve të regjistruara nga sistemi CCTV, nëpërmjet internetit ose shërbimeve të komunikimit elektronik, ku personat mund të identifikohen lehtë.
Udhëzimi përcakton gjithashtu se afati i ruajtjes së të dhënave të regjistruara, nuk duhet të kalojë periudhën e nevojshme, për përmbushjen e qëllimit, për të cilin janë regjistruar këto të dhëna. Në përgjithësi të dhënat mund të mbahen për një periudhë prej 72 orësh ose për një periudhë më të gjatë, nëse mjediset e kontrolluara nuk janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme, megjithatë, jo më shumë se 30 ditë.
Ndërsa për periudha më të gjata ruajtja bëhet kur parashikohet me akt normativ/rregullator të posaçëm. Pas përfundimit të periudhës së ligjshme të ruajtjes së regjistrimeve, nga kontrolluesi duhet të ndërmerren masa për fshirjen e këtyre të dhënave.
Nëse, në rast të një incidenti sigurie, të dhënat e sistemit CCTV duhet t’u vihen në dispozicion autoriteteve kompetente në kuptim të ligjit.
Po kështu, kontrolluesi është i detyruar të vendosë në ambientet e survejuara me kamera, modelin standard të tabelës informuese për mbikëqyrjen me sistemin CCTV, të miratuar nga Komisioneri.
Nëse një subjekt i të dhënave kërkon akses në të dhënat e tij të videosurvejimit, këto të dhëna nuk mund të fshihen nga kontrolluesi pas marrjes së kësaj kërkese. Në rast se dhënia e aksesit do të përmbushet duke i treguar subjektit të të dhënave materialin e regjistruar, duhet të merren parasysh interesat e mbrojtjes së të dhënave të palëve të treta, duke bërë të mundur anonimizimin e videos duke errësuar imazhin e tyre.
Moszbatimi i kërkesave të këtij udhëzimi përbën shkelje të ligjit dhe sanksionohet në përputhje me parashikimet e nenit 94 të ligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale”./ekofin.al

