Fermerët shqiptarë kanë tashmë në dispozicion kuadrin e plotë të procedurave për përfitimin e fondeve nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2026, pasi Udhëzimi nr. 8, datë 14 maj 2026, u publikua sot në Fletoren Zyrtare.
Megjithatë, dokumenti nuk është i panjohur për lexuesit e Ekofin.al, që zbardhi përmbajtjen e plotë të udhëzimit në datën 28 maj, disa ditë përpara publikimit zyrtar, duke informuar në kohë fermerët, subjektet agro-përpunuese dhe investitorët e sektorit rural mbi kriteret, procedurat dhe afatet e aplikimit.
Udhëzimi i firmosur nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, dhe ministri i Financave, Petrit Malaj, përcakton mënyrën e administrimit të fondit të Programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural për vitin 2026, duke detajuar 12 masa mbështetëse që synojnë forcimin e prodhimit bujqësor, blegtorisë, certifikimit të fermave, modernizimit të mekanizimit dhe investimeve në fermat shqiptare.
Një nga elementët më të rëndësishëm të udhëzimit është përcaktimi i afatit të aplikimeve, të cilat do të zhvillohen nga 25 maji deri më 26 qershor 2026. Për masat direkte, aplikimi kryhet online në portalin e-Albania, ndërsa për masat e investimeve dokumentacioni dorëzohet fizikisht pranë AZHBR-së.
Skema e këtij viti ruan mbështetjen për sektorin blegtoral. Për tufat e gjedhit, pagesa arrin deri në 12 mijë lekë për krerë për fermerët që zotërojnë të paktën pesë lopë ose mëshqerra të matrikulluara. Për tufat e deleve dhe dhive subvencioni arrin deri në 1,500 lekë për krerë, ndërsa për bletarinë mbështetja shkon deri në 2 mijë lekë për zgjua.
Në skemë këtë vit përfshihet edhe mbështetja për fermat e derrave, me pagesa deri në 7 mijë lekë për dosë apo paradosë të matrikulluar.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet bujqësisë së qëndrueshme. Udhëzimi parashikon mbështetje për kontrollin biologjik të dëmtuesve në sera dhe tunele plastike, ku fermerët mund të përfitojnë deri në 70% të kostove të materialeve biologjike dhe insekteve të dobishme.
Po ashtu, fermerët që kalojnë në prodhim organik do të mbështeten me pagesa që variojnë nga 100 mijë deri në 200 mijë lekë për fermë, në varësi të fazës së certifikimit. Mbështetje financiare do të jepet edhe për certifikimin Global GAP, i cili konsiderohet tashmë një standard i domosdoshëm për eksportet bujqësore drejt tregjeve europiane.
Një nga masat më të gjera mbetet subvencionimi sipas sipërfaqes së kultivuar. Fermerët me të paktën 3 hektarë tokë të mbjellë mund të përfitojnë deri në 10 mijë lekë për hektar. Për sipërfaqet mbi 10 hektarë subvencioni reduktohet me 50%, përveç rasteve kur aplikanti është Shoqëri e Bashkëpunimit Bujqësor.
Skema e vitit 2026 sjell gjithashtu mbështetje të konsiderueshme për investimet.
Fermerët e rinj nën moshën 40 vjeç mund të përfitojnë financim deri në 70% të investimit, me tavan maksimal 1 milion lekë, për ngritjen e fermave, blerjen e kafshëve, ndërtimin e serrave, pajisjeve moderne dhe teknologjive inovative.
Ndërkohë, për ndërtimin apo rikonstruksionin e staneve mbështetja arrin deri në 3 milionë lekë për subjekt, duke synuar përmirësimin e kushteve të punës dhe jetesës së blegtorëve në zonat kullosore.
Një tjetër masë e rëndësishme është financimi i mekanizimit bujqësor. Fermerët mund të përfitojnë deri në 500 mijë lekë për blerjen e traktorëve të vegjël, motokultivatorëve, sistemeve të ujitjes, pajisjeve të bletarisë, makinerive për pemëtari dhe ullishtari, si dhe pajisjeve digjitale për bujqësi precize.
Udhëzimi saktëson se përfituesit duhet të jenë të pajisur me NIPT aktiv, të kenë shlyer sigurimet shoqërore dhe të mos rezultojnë debitorë ndaj AZHBR-së apo Ministrisë së Bujqësisë. Për investimet, mallrat dhe pajisjet duhet të jenë të reja dhe të papërdorura, ndërsa investimi nuk mund të nisë para lidhjes së kontratës me AZHBR-në.
Një risi e rëndësishme lidhet me forcimin e kontrollit administrativ dhe të verifikimeve në terren. Për masat sipas sipërfaqes, aplikantët që deklarojnë më shumë se sa rezulton në terren dhe përfitojnë padrejtësisht mbi 20% të vlerës së subvencionit, do të përjashtohen nga skemat mbështetëse për tre vjet dhe do të detyrohen të kthejnë fondet e marra. /ekofin.al

