Ruajtja dhe përpunimi i të dhënave personale në fushën e arsimit do të kryhet tashmë sipas masave të sigurisë. Udhëzimi i Komisionerit për Mbrotjen e të Dhënave Personale përcakton se të dhënat mblidhen drejtpërdrejtë nga nxënësit dhe studentët në moshë madhore ose nga prindërit apo kujdestarët ligjorë kur janë të mitur.
Në çdo rast subjekti ka të drejtë të të informohet për të dhënat që do të përpunohet. Kontrolluesit duhet ta informojnë atë në formë koncize, transparente, të kuptueshme dhe lehtësisht të aksesueshme, duke përdorur gjuhë të qartë dhe të thjeshtë, veçanërisht për sa i takon informacionit që i drejtohet në mënyrë specifike një të mituri.
Sipas udhëzimit të dhënat personale që lidhen me gjendjen shëndetësore, aftësitë ndryshe, kontrolle mjekësore, vizita psikologjike në ambientet e shkollave, trajtohen si të dhëna sensitive, të cilat përpunohen vetëm sipas përcaktimeve ligjore.
Për ruajtjen e këtyre të dhënave është i rëndësishëm përcaktimi i vendeve të sigurta ku do të mbahen këto të dhëna, duke siguruar që ato mund të aksesohen vetëm nga persona të autorizuar.
Në rastet e përpunimit të automatizuar të të dhënave, printimi dhe skanimi duhet të realizohen vetëm me pajisje me përdorim specifik dhe jo të zakonshme. Kopjimi i të dhënave duhet të kryhet vetëm kur është i domosdoshëm. Kur përpunimi kryhet nëpërmjet transferimit të të dhënave, ato duhet të jenë të enkriptuara.
Është detyrë e kontrolluesit që, duke marrë parasysh zhvillimet teknologjike si dhe rreziqet, të zbatojë masat e duhura teknike dhe organizative të sigurisë sicc janë pseudonimizimi dhe enkriptimi i të dhënave personale; aftësinë për të garantuar konfidencialitetin dhe integritetin e shërbimeve; instalimin dhe përditësimin e antivirusit dhe fireëalle-t që mbrojnë kompjuterët etj.
Në vlerësimin e nivelit të përshtatshëm të sigurisë merren parasysh rreziqet që shkaktohen nga përpunimi, veçanërisht nga shkatërrimi aksidental ose i paligjshëm, humbja, ndryshimi, përhapja e paautorizuar ose aksesi në të dhënat personale të transmetuara, të ruajtura ose të përpunuara në çfarëdolloj mënyre.
Ndërgjegjësimi është shumë i rëndësishëm në funksion të mbrojtjes së të dhënave personale. Kjo arrihet duke informuar nxënësit, studentët dhe prindërit në mënyrë periodike nëpërmjet zhvillimit të trajnimeve mbi këtë temë, duke ftuar edhe profesionistë në fushën e teknologjisë së informacionit, thuhet në udhëzim.
Ngjarjet e cenimit të sigurisë, mund të sjellin pasoja shumë serioze për subjektin e të dhënave personale. Në rast cenimi të të dhënave personale, kontrolluesi njofton Komisionerin sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se 72 (shtatëdhjetë e dy) orë pas marrjes dijeni për cenimin. Në rast se njoftimi nuk kryhet brenda këtyre afateve, kontrolluesi i parashtron Komisionerit arsyet që kanë shkaktuar vonesën e njoftimit.
Po kështu, transferimi i të dhënave personale të nxënësve, studentëve, prindërve ose kujdestarëve të tyre, si dhe i stafit mësimor, administrativ të shkollave dhe organeve përgjegjëse, lejohet vetëm nëse subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin dhe nëse është e nevojshme për përmbushjen dhe realizimin e detyrave që përcakton legjislacioni në fushën e arsimit.
Nëse të dhënat duhet të transferohen për një qëllim të ndryshëm nga ai fillestar, subjekti i të dhënave duhet të japë përsëri pëlqimin për këtë qëllim të ri dhe ccdo transferim duhet të dokumentohet./ekofin.al
