Me rritjen e ndjeshme të udhëtimeve të shqiptarëve jashtë vendit gjatë sezonit veror, shtohen edhe rastet e aksidenteve rrugore ku aktivizohet mbulimi i sigurimit ndërkombëtar përmes Kartonit Jeshil. Për të shmangur vonesat në trajtimin e kërkesave për dëmshpërblim, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë u bën thirrje qytetarëve që të përgatisin dokumentacionin e plotë menjëherë pas aksidentit.
Sipas Shoqatës, një dosje e plotë ndihmon që procedura e shqyrtimit të kërkesës të zhvillohet më shpejt dhe pa kërkesa shtesë për dokumente.
Qytetarët duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim, deklaratën e drejtuesit të mjetit të shoqëruar me skicën e aksidentit dhe, kur ka, deklaratat e dëshmitarëve. Gjithashtu nevojitet procesverbali i Policisë ose formulari i deklarimit miqësor të aksidentit, si dhe kopje të lejes së qarkullimit, patentës së drejtuesit dhe Kartonit Jeshil.
Në dokumentacion duhet të përfshihen edhe fotografi të mjetit të dëmtuar, foto gjatë riparimit ose ekspertizës kur janë të disponueshme, preventivi ose fatura e riparimit, të dhënat e llogarisë bankare ku do të kryhet pagesa e dëmshpërblimit, si edhe informacioni për mjetin ose drejtuesin që ka shkaktuar aksidentin, nëse këto të dhëna janë të disponueshme.
Shoqata sqaron se, në shumicën e rasteve, dokumentacioni i plotë dorëzohet pranë kompanisë së sigurimit që ka lëshuar Kartonin Jeshil ose sipas udhëzimeve që ajo u komunikon të siguruarve për trajtimin e dëmit.
Ekspertët e sigurimeve këshillojnë drejtuesit e mjeteve që, përveç respektimit të procedurave në vendin ku ndodh aksidenti, të ruajnë çdo dokument dhe provë fotografike, pasi kjo lehtëson verifikimin e dëmit dhe përshpejton procesin e dëmshpërblimit.
Me fluksin e lartë të udhëtimeve gjatë muajve të verës, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë u rekomandon qytetarëve që, në rast aksidenti jashtë vendit, të kontaktojnë menjëherë kompaninë e tyre të sigurimit për të marrë udhëzimet përkatëse dhe për të shmangur çdo vonesë në përfitimin e dëmshpërblimit./ekofin.al

