Tymi nga zjarret në Evropën Jugore po shndërrohet në një emergjencë shëndetësore në rritje, paralajmëron Organizata Botërore e Shëndetësisë, ndërsa autoritetet e shëndetit publik duhet të bëjnë më shumë për të informuar dhe mbrojtur grupet më të cenueshme.
Zjarret kanë përfshirë Evropën Jugore, në atë që po konsiderohet si një nga sezonet më të rënda të viteve të fundit. Situata ka detyruar evakuime masive, ka dëmtuar infrastrukturën dhe ka shkaktuar viktima.
Po rritet gjithashtu ndikimi i tyre në shëndetin e njerëzve dhe në sistemet shëndetësore të rajonit.
“Këto nuk janë thjesht episode zjarresh që prekin jetesën dhe krijojnë një rrezik të menjëhershëm; është një emergjencë e vërtetë shëndetësore”, tha për Euronews Health Dorota Jarosinska, drejtuese e programit në Qendrën Evropiane të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Ndryshimet Klimatike, Mjedisin dhe Shëndetin.
Ajo shtoi se pasojat mund të vazhdojnë shumë kohë pasi zjarri të jetë shuar dhe mund të ndihen në distanca të konsiderueshme nga vendi ku ka ndodhur.
“Tymi që vjen nga zjarret mund të udhëtojë qindra, madje mijëra kilometra, duke përkeqësuar cilësinë e ajrit në vende shumë larg vatrës së zjarrit, përfshirë zonat urbane me dendësi të lartë banimi, dhe duke prekur potencialisht shumë njerëz”, tha Jarosinska.
“Nuk është e nevojshme të shohësh flakët apo një re tymi për t’u përballur me rrezikun shëndetësor.”
Çfarë përmban tymi nga zjarret dhe pse është i dëmshëm
Tymi nga zjarret është një përzierje ndotësish toksikë, grimcash të imëta dhe gazesh. Rreziqet për shëndetin mund të ndryshojnë në varësi të materialeve që digjen, pasi zjarret shpesh përfshijnë plastikë, pajisje elektronike dhe bojëra, të cilat çlirojnë në ajër substanca kimike toksike.
“Këto grimca të vogla dhe të imëta mund të depërtojnë nga mushkëritë në gjak dhe të shkaktojnë një reagim në organizëm, duke aktivizuar sistemin imunitar dhe duke shkaktuar inflamacion”, tha Jarosinska.
Ndërsa te personat e shëndetshëm simptomat mund të jenë të lehta, si acarim i fytit dhe rrjedhje e hundëve, Jarosinska theksoi se personat me probleme shëndetësore ekzistuese mund të përballen me pasoja shumë më të rënda.
Veçanërisht të cenueshëm janë personat me astmë ose sëmundje kronike të mushkërive, ata me sëmundje të zemrës, si dhe fëmijët dhe të moshuarit.
“Simptomat janë të ndryshme dhe mund të variojnë nga të lehta deri në shumë të rënda, madje edhe kërcënuese për jetën”, shtoi Jarosinska.
Këshillat e shëndetit publik nuk duhet të lënë askënd pas
Jarosinska vuri në dukje se këshillat e shëndetit publik priren të jenë të përgjithshme dhe të orientuara drejt popullsisë në tërësi, në vend që të përshtaten për personat më të rrezikuar.
Përtej rekomandimeve për të qëndruar në ambiente të mbyllura dhe për të kufizuar aktivitetin fizik, të cilat u shërbejnë të gjithëve, ndonëse nevoja ndryshon sipas cilësisë së ajrit, Jarosinska kërkoi udhëzime më të hollësishme, që të marrin më mirë parasysh grupet e cenueshme.
“Jepen gjithashtu këshilla për përdorimin e kondicionerëve dhe filtrave me efikasitet të lartë, dhe kjo është një këshillë shumë e mirë për ata që i kanë këto pajisje”, tha Jarosinska.
Megjithatë, ajo paralajmëroi se disa prej këtyre udhëzimeve mund të lënë pas personat që nuk kanë mundësi të përdorin pajisje të tilla apo të hyjnë në ambiente me ajër të kondicionuar ose të pastër.
Sipas Jarosinskës, pjesë e përgjegjësisë së autoriteteve është sigurimi i hapësirave ku njerëzit mund të freskohen dhe të kenë qasje në ajër të pastër, si dhe garantimi që këto ambiente të jenë të disponueshme për të gjithë komunitetin.
“Autoritetet duhet të kujdesen edhe për personat më të pafavorizuar, që nuk mund të kenë qasje në kujdesin shëndetësor, që nuk e njohin gjuhën vendase ose që nuk kanë qasje në informacion”, shtoi ajo.
Presion në rritje mbi sistemet shëndetësore
Përpjekjet për të rritur qëndrueshmërinë dhe gatishmërinë ndaj emergjencave klimatike duhet të përfshijnë gjithashtu forcimin e kapaciteteve të sistemeve shëndetësore, theksoi Jarosinska.
“Kur flasim për ekspozimin ndaj tymit nga zjarret dhe ndikimin në shëndet, mendojmë për individët, vuajtjet dhe problemet e tyre. Por kjo përbën gjithashtu një barrë shumë të madhe për sektorin shëndetësor.”
Ajo theksoi se profesionistët e shëndetësisë duhet të trajnohen dhe të pajisen me informacionin e duhur. Ata duhet të kuptojnë se çfarë do të thotë cilësia e dobët e ajrit, si duhet komunikuar ky rrezik dhe çfarë këshillash duhet t’i jepen secilit pacient.
“Prioriteti i menjëhershëm është forcimi i rolit të sektorit shëndetësor: trajnimi dhe pajisja e personelit, në mënyrë që argumenti shëndetësor të komunikohet më fuqishëm dhe të merret parasysh në masat që ndërmerren në nivel vendor”, shtoi Jarosinska./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
