Rritja e lëvizjeve, shoqëruar me ardhjen e një numri të konsiderueshëm vizitorësh të huaj, është reflektuar në një rritje domethënëse të importit të karburanteve. Referuar të dhënave të publikuara, në përgjithësi ka një rritje të importit të mallrave të akcizës, por rekordin e mbajnë karburantet. Kështu, për muajin gusht janë importuar 74.3 mijë ton karburante, shifra më e lartë në një muaj të vetëm, të paktën në 4 vitet e fundit.
Në 8-mujor gjithashtu, importi i karburanteve shënoi një rritje të ndjeshme, duke arritur në 441 mijë ton karburant, e përkthyer edhe në të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit. Ky vit projektohet të kalojë ndjeshëm shifrën prej 614 mijë tonësh karburente të zhdoganuara.
Sezoni veror, ashtu siç ndodh tracionalisht ka ndikuar edhe në rritjen e konsumit të birrës dhe duhanit. Rritja progresive e importit të birrës e çoi në fund të 8-mujorit importin e këtij produkti në rreth 42 mijë ton. Vetëm në gusht është futur në vend afro 10 mijë ton birrë importi.
Gjithashtu, edhe duhani i importuar ka shënuar rritje, edhe pse me nivele më të moderuara. Kështu, në 8-mujor u importuan 2035 tonë cigare, kundrejt 1913 që ishte sasia e importuar një vit më parë.
E vetmja shifër që duket që nuk i është përgjigjur trendit të viteve të fundit dhe që mund të jetë edhe ndonjë lapsus në shifrat e publikuara, është ajo për importin e kafesë. Në muajin gusht, në të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave, është importuar vetëm 387 tonë kafe, ndërkohë që trendi i importit të këtij produkti në vitet e fundit ka qënë rreth 600 tonë, ndërsa vitin e kaluar arriti edhe 1000 tonë. /ekofin.al
