Në strukturat akomoduese në vendin tonë gjatë muajit prill u shënua rritje e numrit të vizitorëve rezidentë edhe jorezidentë.
Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave për strukturat akomoduese, tregojnë se numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 35,1 %, në krahasim me prillin e 2021-shit.
Sipas INSTAT-it, numri i vizitorëve rezidentë është rritur me 34,5 %, ndërsa numri i vizitorëve jorezidentë është rritur me 35,7 %.
Numri i netëqëndrimeve gjithsej është rritur me 59 %, në krahasim me prillin e 2021-shit.
Numri i netëqëndrimeve nga rezidentët është rritur me 44,2 %, ndërsa numri i netëqëndrimeve nga jorezidentët është rritur me 72,3 %.
Referuar të dhënave, numri i vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në rajonin e Veriut ka shënuar rritjen më të lartë, me 62 %. Në zonat bregdetare ky tregues është rritur me 56 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Ndërkohë, numri i vizitorëve rezidentë të cilët janë akomoduar në hapësirat për kampingje, për parqe, për çadra ose rulota argëtimi, ka shënuar rritjen më të lartë me 2,6 herë.
Gjatë këtij muaji, norma e shfrytëzimit të dhomave të hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme është 10,2 %, kundrejt 7,7 % që ishte në muajin prill 2021.
Ndërsa norma e shfrytëzimit të shtretërve të hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme është 9,4 %, kundrejt 6,2 % që ishte në muajin prill 2021.