Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) për muajin Dhjetor 2024 tregojnë një rritje të dukshme të treguesve të shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese krahasuar me Dhjetorin e vitit 2023.
Numri i vizitorëve gjithsej ka pësuar një rritje prej 13,8%. Pjesa më e madhe e kësaj rritjeje ka ardhur nga vizitorët jo-rezidentë, të cilët janë rritur me 21,2%, ndërsa vizitorët rezident kanë shënuar një rritje më të ulët prej 6,3%.
Në aspektin gjeografik, Rajoni Qendër ka regjistruar numrin më të lartë të vizitorëve, duke përbërë 53,8% të totalit, ndërsa Zonat Jo-bregdetare kanë marrë 67,7% të vizitorëve. Hotelet dhe akomodimet e ngjashme mbeten gjithashtu të preferuarat, me një përqindje prej 95,1%.

Po ashtu, numri i netëve të qëndrimeve gjithsej ka pësuar një rritje prej 17,9%, ku vizitorët jo-rezident janë kontribuar më shumë, me një rritje prej 25,9%. Netët e qëndrimeve të vizitorëve të akomoduar në Rajonin Qendër kanë shënuar një rritje prej 26,5%, ndërsa në Zonat Jo-bregdetare, ky tregues është rritur me 21,8%. Hotelet dhe akomodimet e ngjashme kanë regjistruar një rritje të konsiderueshme prej 23,9%.
Një tjetër tregues pozitiv është rritja e normës së shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese. Norma e shfrytëzimit të dhomave në “Hotelet dhe akomodimet e ngjashme” ka arritur në 18,1%, nga 13,3% që ishte në Dhjetorin e vitit 2023, ndërsa norma e shfrytëzimit të shtretërve është rritur në 18,0%, krahasuar me 14,7% vitin e kaluar.
Ky raport tregon një tendencë pozitive të sektorit të turizmit dhe akomodimit në Shqipëri, me një rritje të konsiderueshme të kërkesës dhe shfrytëzimit të kapaciteteve hoteliere gjatë muajit Dhjetor 2024./ekofin.al
