Të dhënat e fundit nga INSTAT tregojnë një rritje të konsiderueshme të sektorit të akomodimit dhe turizmit në Shqipëri gjatë muajit Gusht 2024, duke u krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 32%, duke arritur një nivel të ri për të gjitha strukturat akomoduese. Kjo rritje është e dukshme edhe në segmentet e vizitorëve rezident dhe jo-rezident, ku vizitorët rezident kanë shënuar një rritje të moderuar prej 1,2%, ndërsa ata jo-rezident kanë patur një rritje prej 50,6%.
Po ashtu, numri i netqëndrimeve gjithsej është rritur me 11,3%. Vizitorët jo-rezident kanë kontribuar ndjeshëm në këtë rritje, me netqëndrime që janë rritur me 40,9% në rajonin qendër dhe 14,6% në zonat bregdetare.
Rajoni i jugut ka pasur numrin më të lartë të vizitorëve, duke përfaqësuar 38,2% të totalit, ndërsa zonat bregdetare kanë regjistruar 75,6% të netqëndrimeve, duke e bërë këtë rajon të preferuar për turistët. Hotelet dhe akomodimet e ngjashme kanë shënuar një rritje mbresëlënëse, me 92,7% të vizitorëve dhe 92,0% të net qëndrimeve.
Në lidhje me shfrytëzimin e kapaciteteve akomoduese, norma e shfrytëzimit të dhomave në hotelet dhe akomodimet e ngjashme është rritur në 59,6%, krahasuar me 55,3% në gusht 2023. Po ashtu, norma e shfrytëzimit të shtretërve ka arritur 67,6%, duke u rritur nga 64,9% një vit më parë. /ekofin.al
