Turi i Kullave, “Gurët që Flasin” është një eksplorim në zemrën e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturore të Shqipërisë së Veriut, që kombinon ruajtjen e kullave ikonike shqiptare, angazhimin me komunitetin dhe zhvillimin e turizmit rural. Pjesëmarrësit do të përjetojnë nga afër historinë e pasur të këtyre kullave, duke u angazhuar me banorët lokalë, shijuar gatime tradicionale dhe mësuar mbi praktikat e qëndrueshme të agroturizmit.
“Turi i Kullave” është pjesë e projektit “Turet Agroturistike”, i mbështetur nga GIZ, i cili bashkoi operatorë turistikë, bashkëpunëtorë dhe dashamirës të traditës, arkitekturës dhe historisë në një udhëtim të shkurtër, por mbresëlënës, në disa prej kullave që janë pjesë e këtij turi.
Dyert e kullave u hapën me bujari për të ofruar gatimet tradicionale të zonës së Matit dhe Bulqizës, të cilat u pasuan me këngë, valle dhe histori të trashëguara brez pas brezi.

Ja disa nga Kullat e përfshira në këtë tur të veçantë, të kuruar nga ekspertët e GIZ
Kulla e Barçit, Lis, Mat Bën pjesë në tipologjinë III sipas hartës së tipologjisë së banesave popullore fshatare në Shqipëri. Kjo kullë e cila paraqet tiparet e një kulle të fortifikuar fshatare është e ndarë në dy pjesë, njëra i përket periudhës së vitit 1926 dhe tjetra daton nga viti 1936 duke e klasifikuar atë në banesat që quhen banesa vëllazërishte. Ajo përbëhet nga disa qoshqe të cilat përveç funksionit ndenjës luanin edhe funksionin mbrojtës.
Kulla e Satajve, Kurdari, Klos Një monument i mirfilltë kulture, një kështjellë në miniaturë, e që bën pjesë denjësisht në tipologjinë III të hartës së tipologjisë së banesave popullore fshatare të fortifikuara. E ndërtuar me 3 kate, ku në katin e parë e veçuar nga hyrja kryesore e pajisur me shkallë të jashtme ndodhet burgu ose hapësira e dedikuar dikur për bagëtitë e familjes.
Kulla e Gjinit, Shulbatër, Klos Reflektim i artit të ndërtimit në Shulbatër. E vetmja kullë si shembull përfaqësues i traditës Matjane i ndarjes së brendshme të mjediseve të kullës. Ndodhet në pjesën lindore të fshatit Shulbatër, me pamje dominuese mbi lumin Mat dhe që i jep karakter të fortifikuar gjithë fshatit i cili duket se grupohet rreth kësaj ndërtese të lartë me 3 kate.

Kulla e Shaban Zajmi, Shulbatër, Klos Një ndër kullat e fshatit Shulbatër është ajo e familjes së Shaban Sulejman Zajmi. Kjo kullë është ndërtuar sipas gojëdhenave rreth 250-300 vjet më parë, dhe gjate periudhës së pasluftës së dytë botërore është rikonstruktuar duke ruajtur tiparet e saj. Kulla ka një sipërfaqe mbi 100m2 dhe është 3 katëshe. Ajo përbëhet nga 5 dhoma të mëdha dhe ka një hyrje monumentale që lidhet me mjediset e katit të parë.
Kulla e Imer Kurtit, Gurrë e vogël, Klos Një kullë 3 katëshe, tipike e zonës së Gurrës së vogël, e banuar nga fanilja Kurti, dhe një portë e hapur për të gjithë vizitorët, të cilët nëse e zgjedhin të ndalen e të pushojnë në oborrin e saj do të shoqërohen përherë nga melodia e bariut, që me aq mjeshtëri e luan në fyell i zoti i shtëpisë.
Kulla e Moçme, Fshat, Klos Një banesë e ngrohtë, me hyrje të kompozuar me shkallë të jashtme e të mbuluara me strehë, ndodhet fill poshtë rrugës së Arbrit, sapo fillon degëzimi për Klos e sipas gojëdhënave ka qenë pranë teqes së Skënderbeut. Me teknikën e saj të brezave të rregullt të drurit dhe gurit dhe çati me tjegulla vendi, përbën një shembull tipit të pjesës jugore të lumit Mat.

Kulla Hupi, Dushaj, Bulqizë Një banesë 3 katëshe e ndërtuar me teknikën me breza druri dhe muraturë guri. Aksesi në pjesën e brendshme kryhet nëpërmjet shkallëve të jashtme të gurit të mbuluara me stehë. Ajo ndodhet në fshatin Dushaj të Bulqizës dhe funksionon si një bujtinë pritëse për vizitorët. E pozicionuar pranë një tarrace natyrore kulla mundëson shëtitjet në natyrë dhe soditjen e burimeve ujore.
“Turi i Kullave” pritet të jetë pjesë e aplikacionit të agroturizmit, për të krijuar më shumë thjeshtësi në dhënien e informacionit për të gjithë vizitorët, si vendas, ashtu edhe të huaj. /ekofin.al

