Treguesit kryesorë të shëndetit financiar të sektorit bankar kanë shënuar një përmirësim të mëtejshëm, referuar statistikave të fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Për herë të parë një nga treguesit kyç siç është ai i kapitalit rregullator ndaj aktiveve të ponderuara me rrezik është rritur në 20.23%, duke lëvizur me 1% nga tre-mujori i mëparshëm, ndërkohë që vitet e fundit ky treguesit luhatej te shifra 19%.
Ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e këtij treguesi ka patur rritja e mëtejshme e vlerës së kapitalit rregullator të sektorit bankar, që në fund të shtatorit arriti në 202.8 miliardë lekë, duke reflektuar edhe kërkesat për rritje të kapitalit rregullator të bankave nga ana e Bankave të Shqipërisë, edhe përmes rregullatores së MREL-it.
Një tjetër tregues i rëndësishëm për sektorin bankar, siç është ai i huave me probleme, zbriti në shtator në nivelin më të ulët historik, prej 4.58%. Ky tregues ka shënuar rënie konstante, që kur arriti shifra alarmante në vitin 2014, por shifra e shtatorit është më e ulëta në 16 vitet e fundit.
Një konfirmim i performacës së mirë të sektorit bankar është edhe treguesi RoE, kthimi nga kapitali, i cili edhe pse duhet pritur vlerësimi mbi baza vjetore për të realizuar një analizë më të plotë, rezultoi 18.3% në fund të shtatorit.
Fitimi neto i bankave për 9-mujorin arriti në afro 28 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej afro 23% në vitin 2024, duke konfirmuar kështu performancën e mirë financiare të sektorit.
Në anën tjetër, aktivet e ponderuara me rrezik të lartë shënuan një zbritje të lehtë në shtator, krahasuar me qershorin e këtij viti, por duke mbetur sërish në mbi 1 trilionë lekë. Kjo edhe për shkak të rritjes së shpejtë të kreditimit nga ana e sektorit bankar, kryesisht në vitin 2023, por edhe gjatë këtij viti. /ekofin.al
