Tregu i sigurimeve ka vijuar tendencën e tij rritëse. Sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për periudhën janar-qershor, 6-mujori i parë i vitit 2023, primet kapën vlerën e rreth 11 miliardë lekëve, ose rreth 13% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Thuajse të njëjtën rritje shënuan edhe kontratat e sigurimit, duke arritur në 638,072, 12.72% më shumë se viti i kaluar.
Referuar dëmeve të paguara, për 6-mujorin e vitit 2023, ato arritën në rreth 3.3 miliardë lekë, ose 3.54% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Siguruesit vijojnë të paguajnë një numër të konsiderueshëm dëmesh në sigurimin motorik, ku për periudhën janar-qershor u paguan rreth 3.16 miliardë lekë dëme, me një rritje prej 4% krahasuar me vitin 2022.
Dominant në treg mbetet sigurimi i detyrueshëm, por sa i përket sigurimin vullnetar, AMF raporton se:
Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë muajit janar-qershor 2023 arritën rreth 4,975 milionë lekë, 20.37% më shumë se në muajin janar-qershor 2022. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 2.27% krahasuar me muajin janar-qershor 2022.
Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë muajit janar-qershor 2023, patën një rritje me 20.31% kundrejt muajit janar-qershor 2022.
Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë muajit janar-qershor 2023 siguruan mbi 2,494 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 68.05%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 23.66% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë muajit janar-qershor 2023, vihet re një rritje prej 22.34% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 3.46% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me muajin janar-qershor 2022.
Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë muajit janar-qershor 2023, arritën në rreth 726 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 0.43% në krahasim me muajin janar-qershor 2022.
Sigurimi i Jetës
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë muajit janar-qershor 2023, arritën rreth 897 milionë lekë, ose 21.50% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. /ekofin.al
