Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri ka vijuar një trajektore të qëndrueshme gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2025, duke reflektuar një kombinim të rritjes së çmimeve, kërkesës së qëndrueshme dhe një dinamike më aktive në segmentin e blerësve të huaj. Sipas vrojtimit të posaçëm të Banka e Shqipërisë, edhe pse çmimet e banesave rezidenciale kanë vijuar të rriten, ritmi i kësaj rritjeje është moderuar krahasuar me periudhat e mëparshme.
Të dhënat tregojnë se kërkesa për blerje banesash mbetet solide, e mbështetur nga faktorë të tillë si kreditimi bankar dhe rritja e interesit nga jorezidentët. Pesha e këtyre të fundit në totalin e transaksioneve ka shënuar rritje, duke konfirmuar trendin e viteve të fundit ku tregu shqiptar i pasurive të paluajtshme po tërheq gjithnjë e më shumë investitorë të huaj, veçanërisht në zonat bregdetare.
Një tjetër tregues i rëndësishëm i stabilitetit të tregut është ulja e stokut të pronave të pashitura, i cili ka rënë për disa gjashtëmujorë radhazi. Paralelisht, është shkurtuar edhe koha mesatare e shitjes së një prone, një zhvillim që lidhet kryesisht me përmirësimin e ritmit të shitjeve në Tiranë dhe në zona të tjera urbane dhe turistike.
Në aspektin financiar, rritja e kredisë bankare për blerje dhe zhvillim të pasurive të paluajtshme ka luajtur një rol kyç në mbështetjen e kërkesës. Megjithatë, bankat kanë raportuar një shtrëngim të kushteve të kreditimit, ndërkohë që norma e miratimit të kredive për individët që kërkojnë të blejnë banesa ka qenë më e lartë. Kjo sugjeron një selektivitet më të madh në dhënien e kredive, por njëkohësisht një orientim drejt klientëve më të qëndrueshëm financiarisht.
Nga ana e ofertës, tregu është ushqyer nga rritja e lejeve të ndërtimit, çka ka çuar në zgjerim të sipërfaqes së ndërtimit të miratuar. Megjithatë, pesha e financimit bankar për sektorin e ndërtimit ka mbetur relativisht e pandryshuar, duke treguar se zhvilluesit vijojnë të mbështeten edhe në burime të tjera financimi.
Ndërkohë, kostot e ndërtimit kanë pësuar një rritje të lehtë, e nxitur kryesisht nga rritja e pagave dhe shpenzimeve për makineri. Ky faktor, së bashku me kërkesën e qëndrueshme, ka ushtruar presion shtesë mbi çmimet e banesave.
Sipas Banka e Shqipërisë, indeksi i çmimeve të banesave në nivel vendi është rritur me 11.7% në terma gjashtëmujorë dhe me 28% në krahasim me një vit më parë. Ndryshe nga trendi kombëtar, në Tiranë rritja e çmimeve ka qenë më e moderuar, ndërsa kontributin kryesor në rritjen e indeksit e kanë dhënë zonat bregdetare, të cilat vijojnë të përfitojnë nga kërkesa e lartë turistike dhe investimet në pasuri të paluajtshme.
Edhe tregu i qirave ka vijuar një prirje rritëse gjatë kësaj periudhe, duke reflektuar kërkesën e lartë për akomodim, si nga vendasit ashtu edhe nga të huajt. Ky zhvillim ka forcuar më tej atraktivitetin e investimeve në prona rezidenciale për qëllime dhënieje me qira. /ekofin.al
