Qeveria shqiptare ka vendosur të intensifikojë monitorimin e tregut të hidrokarbureve në vend, në një moment kur tensionet në tregjet ndërkombëtare dhe luhatjet e çmimeve të energjisë po shtojnë pasiguritë për ekonomitë importuese, përfshirë Shqipërinë.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, së bashku me Ministrin e Financave, Petrit Malaj, dhe Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaci, zhvilluan një takim me kompanitë kryesore të sektorit të hidrokarbureve dhe drejtuesit e Shoqata e Hidrokarbureve e Shqipërisë, për të analizuar zhvillimet e fundit në tregun e karburanteve dhe ndikimin e çmimeve ndërkombëtare në tregun vendas.
Diskutimi u përqendrua në ecurinë e çmimeve në bursën ndërkombëtare Platts të Mesdheut, e cila shërben si referencë kryesore për çmimet e gazoilit dhe benzinës që importohen në Shqipëri. Gjatë takimit u analizua raporti mes çmimeve të importit, çmimeve të shitjes me shumicë dhe çmimeve me pakicë në tregun vendas, në mënyrë që të vlerësohet nëse ndryshimet e çmimeve në pikat e shitjes reflektojnë realisht lëvizjet në tregjet ndërkombëtare.
Në përfundim të takimit, palët ranë dakord për rritjen e transparencës dhe shkëmbimin e rregullt të informacionit mbi zhvillimet e çmimeve, me synim mbajtjen nën kontroll të situatës dhe garantimin e një tregu më të qëndrueshëm për konsumatorët shqiptarë.
Në këtë kuadër, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do të ndërmarrë një sërë masash që përfshijnë ngritjen e një mekanizmi të përditshëm monitorimi të çmimeve të hidrokarbureve në tregun vendas, analizimin periodik të raportit ndërmjet çmimeve në bursën Platts, çmimeve të importit dhe çmimeve të shitjes në treg, si dhe koordinimin e vazhdueshëm me operatorët e sektorit dhe Shoqatën e Hidrokarbureve për të rritur transparencën dhe stabilitetin e tregut. Një element tjetër i rëndësishëm do të jetë edhe informimi periodik i publikut mbi zhvillimet e çmimeve dhe faktorët që ndikojnë në to.
Paralelisht, Ministria e Financave do të ngrejë një task-forcë të përbashkët mes administratës tatimore dhe asaj doganore për të rritur kontrollin dhe efikasitetin në sektorin e hidrokarbureve. Kjo strukturë do të monitorojë marzhet e fitimit në të gjithë zinxhirin e tregtimit të karburanteve – nga momenti i importit deri te shitja me pakicë – me qëllim që çdo ndryshim çmimi në tregun vendas të reflektojë zhvillimet reale të tregut ndërkombëtar dhe të shmangen rritjet abuzive të çmimeve.
Gjithashtu, task-forca do të verifikojë përputhshmërinë e aktivitetit të subjekteve me detyrimet fiskale dhe doganore, duke garantuar që çdo transaksion të regjistrohet fiskalisht dhe që karburanti i tregtuar të plotësojë të gjitha detyrimet ligjore.
Autoritetet theksuan se situata aktuale në tregjet ndërkombëtare kërkon vëmendje dhe reagim të shpejtë institucional, në mënyrë që të ruhet stabiliteti i tregut vendas dhe të mbrohen interesat e konsumatorëve. Në këtë kuadër, institucionet shtetërore do të vijojnë monitorimin e përditshëm të bursave ndërkombëtare dhe të tregut të brendshëm, duke ndërhyrë në rast të devijimeve të pajustifikuara të çmimeve.
Sipas qeverisë, objektivi mbetet garantimi i transparencës, konkurrencës së ndershme dhe mbrojtjes së konsumatorëve në tregun e hidrokarbureve në Shqipëri, një sektor me ndikim të drejtpërdrejtë në inflacion dhe në koston e jetesës së familjeve shqiptare. /ekofin.al






