Evropa është e famshme në mbarë botën për tregjet e saj të Krishtlindjeve, me më shumë se 1,500 të tilla që organizohen çdo vit. Zgjedhja e tregut që ia vlen të vizitohet mund të jetë po aq e vështirë sa përgatitja e listës së dhuratave. Ja cilat janë destinacionet më të preferuara, sipas votave të udhëtarëve.
Ndërsa vjeshta po avancon, duket sikur Krishtlindjet do të mbërrijnë sa hap e mbyll sytë.
Sezoni festiv sjell mundësi të reja për të planifikuar një udhëtim dimëror dhe, për shumë turistë, vizita në një treg Krishtlindjesh është një nga përvojat që nuk duhet humbur.
Vetëm në Evropë organizohen më shumë se 1,500 tregje të tilla dhe këtë vit mbi 800 mijë udhëtarë kanë votuar për të preferuarit e tyre përmes platformës European Best Destinations.
Në renditjen përfundimtare janë përfshirë 20 tregje. Më poshtë sjellim pesë destinacionet kryesore, që mund të shërbejnë si frymëzim për ata që duan të bëjnë blerje, të shijojnë verën e ngrohtë me erëza dhe të përjetojnë atmosferën festive të Krishtlindjeve në vitin 2026.
1. Craiova, Rumani

Ndoshta nuk keni dëgjuar më parë për Craiova-n, por qyteti rumun ka arritur të lërë pas tregje shumë më të njohura të Krishtlindjeve, duke zënë vendin e parë në renditje.
Tregu shtrihet në një hapësirë jashtëzakonisht të madhe, me më shumë se 280 mijë metra katrorë që shndërrohen çdo vit në një botë përrallore festive.
Tema e vitit 2026 është Arrëthyesi (The Nutcracker), ndërsa vizitorët do të mund të shohin zbukurime gjigante, skulptura në formë lodrash dhe mijëra drita vezulluese.
Tregu, i cili zhvillohet nga mesi i nëntorit deri në fillim të janarit, do të ketë gjithashtu slitën fluturuese të Babagjyshit, që ngrihet më lart se çdo atraksion i ngjashëm në Evropën Lindore, një pistë patinazhi, një rrotë panoramike dhe shtëpiza tradicionale prej druri, të pikturuara me dorë.
Vizitorët vlerësojnë veçanërisht edhe ofertën gastronomike, e cila ndërthur shijet e Evropës Lindore me kuzhina të tjera, duke përfshirë gatime nga Armenia, Gjeorgjia, Greqia, Bullgaria dhe Serbia.
2. Zyrih, Zvicër

Zyrihu mund të jetë më i njohur për çokollatën dhe sektorin bankar sesa për tregjet e Krishtlindjeve, por qyteti zviceran ka fituar reputacionin e një prej destinacioneve më të mira festive në Evropë.
Atraksioni kryesor është Wienachtsdorf, në sheshin Sechseläutenplatz, mes Operës dhe Liqenit të Zyrihut. Tregu është i mbushur me shtëpiza prej druri, drita vezulluese dhe një pemë gjigante Krishtlindjesh, duke ndërthurur traditat alpine me elegancën karakteristike të qytetit.
Por përvoja festive nuk kufizohet vetëm te tregu kryesor, i cili është votuar gjithashtu si tregu më i bukur i Krishtlindjeve në Evropë.
Weihnachtsallee, pranë stacionit qendror hekurudhor, organizohet për të tretin vit dhe përfshin rreth 80 stenda që ndryshojnë gjatë sezonit. Ato ofrojnë ushqime ndërkombëtare, produkte artizanale me dizajn të veçantë dhe, sigurisht, shumë fondue.
Ekziston edhe një kupolë e dedikuar verës së ngrohtë me erëza, që është kthyer në një vend të preferuar për vendasit dhe turistët që kërkojnë të ngrohen gjatë ditëve të ftohta.
Zyrihu i jep gjithashtu një dimension artistik festave përmes Illuminarium, në Muzeun Kombëtar Zviceran. Oborri i muzeut shndërrohet në një hapësirë me instalacione ndriçimi, muzikë dhe shfaqje gjithëpërfshirëse, duke i shtuar një përvojë të veçantë festimeve të qytetit.
3.Riga, Letoni

Riga mund të mos ketë të njëjtën famë si disa prej destinacioneve më të mëdha evropiane të Krishtlindjeve, por kryeqyteti i Letonisë krijon çdo dimër një atmosferë festive mbresëlënëse.
Tregu kryesor organizohet në sheshin Doma, në zemër të Qytetit të Vjetër, i përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Shtëpizat prej druri ofrojnë produkte artizanale letoneze, veshje të ngrohta të thurura me dorë dhe specialitete vendase.
Nga fundi i nëntorit deri në fillim të janarit, sheshi mbushet me aromën e verës së ngrohtë, bajameve të pjekura dhe kanellës, ndërsa koret dhe artistët folklorikë i japin festimeve një karakter të veçantë baltik.
Megjithatë, tërheqja e Rigës gjatë Krishtlindjeve shkon përtej tregut.
Qyteti njihet për ndriçimin spektakolar, me parqe, sheshe dhe kanale që shndërrohen në një peizazh dimëror plot drita.
Vizitorët mund të eksplorojnë sheshin e Operës, Bastejkalns dhe Parkun Kronvalda, ku instalacionet e frymëzuara nga përrallat letoneze ndërthurin dritën, muzikën dhe rrëfimin e historive për të sjellë në jetë atmosferën festive.
4.Lisbonë, Portugali

Lisbona ofron një përvojë disi ndryshe të tregjeve të Krishtlindjeve, duke zëvendësuar rrugët me dëborë me temperatura të buta dhe diell dimëror.
Wonderland Lisboa organizohet në Parque Eduardo VII nga fundi i nëntorit deri në fillim të janarit. Tregu më i madh i Krishtlindjeve në kryeqytetin portugez rikthehet në vitin 2026 për edicionin e tij të 11-të.
Tema e këtij viti, Rrënjët e Krishtlindjeve, bashkon natyrën, artin, gastronominë dhe argëtimin, me pjesëmarrjen e artizanëve vendas, shfaqje të drejtpërdrejta dhe atraksione të shumta për familjet.
Vizitorët mund të shijojnë gjithashtu pamjen panoramike të qytetit nga rrota gjigante, të argëtohen në karuselin tradicional dhe të shfrytëzojnë mundësitë e shumta për blerjet e fundvitit.
Gastronomia është një tjetër pjesë e rëndësishme e përvojës. Zona ushqimore e Wonderland Lisboa ofron gatime tradicionale portugeze të festave, specialitete rajonale dhe ëmbëlsira sezonale.
Më shumë se 1.2 milionë njerëz e vizituan tregun në vitin 2025, duke e kthyer atë në një zgjedhje të preferuar për ata që duan të përjetojnë atmosferën e Krishtlindjeve nën rrezet e diellit.
5. Debrecen, Hungari

Qyteti i dytë më i madh i Hungarisë mund të jetë më pak i njohur se kryeqyteti, Budapesti, por di mjaft mirë si të organizojë festimet e Krishtlindjeve.
Gjatë dimrit, sheshet kryesore dhe rrugët këmbësore të Debrecenit shndërrohen nga instalacionet e ndriçuara dhe stendat prej druri, ku shiten produkte artizanale, lodra, dekorime dhe zbukurime Krishtlindjesh.
Oferta gastronomike është gjithashtu e pasur, me specialitete tradicionale festive si vera e ngrohtë me erëza, gështenjat e pjekura dhe kürtőskalács, ëmbëlsira hungareze në formë cilindri, e njohur edhe si “chimney cake”.
Gjatë sezonit zhvillohen mbi 100 aktivitete kulturore, me pjesëmarrjen e më shumë se 200 artistëve, ndërsa familjet mund të argëtohen në pistën e patinazhit dhe atraksionin Fairytale Town (Qyteti i Përrallave).
Programi përfshin gjithashtu ceremoni tradicionale të ndezjes së qirinjve të Adventit dhe një fundjavë kushtuar Shën Nikollës, me mbërritjen e tij me karrocë, koncerte dhe një tren të vogël festiv./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
