Tregu i mikrofinancës e nis vitin 2025 me ndryshime pronësie. Kompania Tranzit shpk, e cila është gjithashtu edhe Shoqëri Mëmë për Bankën Amerikane të Investimeve, ka finalizuar blerjen e 100% të aksioneve të shoqërisë NOA, një nga institucionet më të hershme të mikrofinancës në vend, me një histori mbi 25-vjeçare në treg.
Marrëveshja e kalimit të aksioneve në pronësi të Tranzit shpk mban datën 31 dhjetor 2024. Tranzit është licencuar nga Banka e Shqipërisë në vitin 2010 për të ushtruar aktivitetin si Institucion Financiar JoBankë, por më shumti përgjatë këtyre 14 viteve, kjo shoqëri është marrë më shumë me mbledhjen e borxheve të këqija, sesa me procesin e kredidhënies.
Në anën tjetër, NOA është një institucion i profilizuar për kredidhënien dhe kryesisht në segmentet e biznesit, aty ku është edhe portofoli kryesor i saj. Në vitin 2023, NOA zgjeroi aktivitetin e saj, duke hapur degë edhe në Kosovë. Sipas të dhënave publike, shoqëria ka një staf prej 350 punonjësish, të shpërndarë edhe në disa degë në rrethe. Ndërsa në anën tjetër, Tranzit është një shoqëri më e vogël, me një staf prej 45 punonjësish. /ekofin.al
Njoftimi zyrtar i NOA
Ky hap përfaqëson një moment historik për kompaninë, duke sjellë burime dhe ekspertizë të shtuar për të fuqizuar më tej impaktin e saj në ekonominë lokale.
Znj. Herjola Spahiu, CEO e NOA sh.a, deklaroi:
“Përvoja dhe mendësia shumëvjeçare amerikane është një shtysë e madhe për të promovuar një kulturë të re menaxhimi dhe për të ofruar shërbime me cilësi të lartë sipas standarteve ndërkombëtare, duke kontribuar në zhvillimin e bizneseve, fermerëve dhe individëve.”
Z. Seljan Kodra, CEO i Tranzit shpk, theksoi:
“Jemi krenarë që NOA, një institucion i rëndësishëm dhe me një fokus të veçantë në mbështetjen e biznesit shqiptar, fermerëve dhe familjeve, i bashkohet grupit tonë, duke sjellë zgjerimin e mëtejshëm të shërbimeve tona tek segmenti më dinamik dhe jetik i ekonomisë shqiptare, sipërmarrësit e vegjël.”