Transporti urban dhe ndërqytetas do të rikthehet në normalitet, pas një marrëveshjeje mes Shoqatës së Transportit dhe përfaqësuesve të qeverisë dhe pushtetit vendor.
Përfaqësuesit e shoqatës bëjnë me dije se pas takimit me ministren e Ekonomisë, ministrin e Infrastrukturës dhe kryetaren e bashkisë, është rënë dakord për vijimin normal të shërbimit, ndërsa është diskutuar edhe për një subvencion të mundshëm për litër karburant, vlera e të cilit mbetet ende për t’u përcaktuar.
“Patëm një takim me ministren e Ekonomisë, ministrin e Infrastrukturës dhe nënkryetaren e bashkisë, u dakordësuam që transporti do të rikthehet në normalitet dhe do të ketë subvencion lekë për litër, por do të jetë në diskutim si vlerë.
Nga sot do të vazhdojë transporti me kapacitet të plotë, se edhe operatorët duan ta ofrojnë shërbimin siç duhet për shkak të asaj që u pa këto dy ditë.
Do të kemi edhe takim tjetër javën që vjen për të diskutuar kërkesat e tjera ekonomike, si TVSH, akcizë, kategoritë që udhëtojnë falas.”, shprehet shoqata.
Ministri për Infrastrukturën dhe energjinë Enea Karakaçi ka bërë me dije se qeveria do ta subvencionojë transportin publik, për ta rikthyer shërbimin në normalitet, pas rekturimit me 40% të flotës së autobusëve si pasojë e krizës së çmimit të naftës.
“Tryeza e radhës me përfaqësues të Shoqatave të Transportit Urban dhe Interurban, me fokus mbi situatën e krijuar së fundmi nga rritja e çmimit të karburanteve.
Qeveria Shqiptare do të subvencionojë transportin publik, duke rikthyer në normalitet këtë shërbim të domosdoshëm për qytetarët.
Bashkë për të kapërcyer çdo sfidë.”, shkruan ministri.
