Transporti në Shqipëri ka shfaqur një panoramë të përzier gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026. Ndërsa transporti rrugor dhe ai detar kanë regjistruar rritje në treguesit kryesorë, transporti hekurudhor vijon të mbetet në vështirësi, me rënie të ndjeshme të volumit të mallrave të transportuara.
Në transportin rrugor, numri i mjeteve në qarkullim arriti në 1.092.726, me një rritje prej 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Autoveturat vazhdojnë të dominojnë flotën me 80,7% të totalit, ndërsa Tirana mban peshën më të madhe me 34,8% të mjeteve në vend, e ndjekur nga Durrësi me 13,7%. Gjatë tremujorit u regjistruan për herë të parë 26.738 mjete, një nivel 0,9% më i ulët se një vit më parë, ndërsa Volkswagen dhe Mercedes-Benz mbetën markat më të preferuara për regjistrimet e reja.
Edhe transporti detar ka vijuar trendin pozitiv. Portet shqiptare përpunuan 2,406 milionë ton mallra gjatë tremujorit të dytë, rreth 9% më shumë se një vit më parë. Porti i Durrësit ruan pozicionin dominues, duke përballuar 94,2% të volumit të përgjithshëm të mallrave, ose 2,267 milionë ton, me një rritje prej 9,9% në baza vjetore.
Sipas strukturës së mallrave, peshën më të madhe e zënë metalet bazë dhe produktet metalike me 15,8% të totalit, të ndjekura nga produktet e rafinuara të naftës me 14,3% dhe produktet minerale jo metalike me 13,5%.
Pozitive ishte edhe ecuria e transportit të pasagjerëve me det. Gjatë tremujorit, në portet shqiptare udhëtuan 336.103 pasagjerë, ku Porti i Sarandës përpunoi 60,6% të tyre, duke kaluar Durrësin me 34,9% dhe Vlorën me 4,5%. Ndërkohë, numri i anijeve të hyra dhe të dala nga portet u rrit me 6,5%, ndërsa anijet e huaja u shtuan me 9,1% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.
Në kontrast me këta sektorë, transporti hekurudhor vazhdon të shfaqë dobësi. Volumi i mallrave të transportuara zbriti në 103,7 mijë ton, me një rënie prej 13,8% krahasuar me tremujorin e dytë 2025. Edhe treguesi i ton-kilometrave ra me 15,1%, duke reflektuar tkurrjen e aktivitetit në këtë sektor. Aktualisht, rrjeti hekurudhor funksional në Shqipëri shtrihet në 253 kilometra dhe shfrytëzohet në katër linja kryesore.
Pothuajse i gjithë transporti hekurudhor i mallrave lidhet me dy kategori kryesore. Mallrat e grupit “Qymyr dhe linjit; naftë bruto dhe gaz natyror” përbëjnë 91,9% të volumit të transportuar, ndërsa mbetjet e riciklueshme dhe mbetjet e ngurta zënë 8,1%, çka tregon mungesën e diversifikimit të aktivitetit hekurudhor në vend. /ekofin.al



