Qeveria miraton me vendim sipërfaqen prej 885,557.6 metrash katrorë në Vlorë si zonë të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”, duke ia dhënë zhvillimin shoqërisë “RAMS Albania” me procedurë jokonkurruese. Pasuritë shtetërore do të vihen në dispozicion të projektit kundrejt tarifës simbolike prej 1 euro për kontratë, ndërsa zona do të funksionojë fillimisht për 35 vjet, me të drejtë zgjatjeje deri në 99 vjet.
Në zonë parashikohen aktivitete industriale, logjistike dhe inovative, përfshirë automatizimin, inteligjencën artificiale, teknologjitë industriale, përpunimin e lehtë të metaleve dhe energjinë e rinovueshme. Vendimi shfuqizon njëkohësisht aktet e viteve 2008 për parkun e mëparshëm industrial në Vlorë.
Më herët këtë vit, projekti “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”, kishte marrë miratimin me statusin “Investim/Investitor strategjik – procedurë e veçantë”.
Projekti parashikon një investim prej rreth 100 milionë dollarësh dhe krijimin e deri në 10 mijë vendeve të reja pune.
Vendimi i plotë
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN “ZONË E TEKNOLOGJISË DHE ZHVILLIMIT EKONOMIK, “VLORË TEDA/RAMS FREE ZONE”” DHE ZHVILLUESIT TË ZONËS ME VENDNDODHJE NË VLORË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, të ndryshuar, dhe të nenit 14/2, të vendimit nr.646, datë 22.7.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave e të kritereve të përzgjedhjes së zhvilluesit në zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, “VLORË TEDA/RAMS FREE ZONE”” të territorit, me sipërfaqe 885 557.6 (tetëqind e tetëdhjetë e pesë mijë e pesëqind e pesëdhjetë e shtatë pikë gjashtë) m2, pjesë e zonave kadastrale 8604 dhe 2765, në Bashkinë Vlorë, të përbërë nga pasuritë me sipërfaqet përkatëse, sipas listës dhe hartës, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes së “Zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, “VLORË TEDA/RAMS FREE ZONE”” përcaktohen në hartën, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Veprimtaritë, që do të zhvillohen në “Zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, “VLORË TEDA/RAMS FREE ZONE””, janë të llojit:
a) ekosistem industrial logjistik dhe inovativ;
b) teknologji industriale;
c) automatizim dhe inteligjencë artificiale;
ç) përpunim mekanik i lehtë i metaleve, duke kombinuar metalurgjinë e pastër me aktivitete të kufizuara në përpunim mekanik të lehtë dhe trajtime sipërfaqësore jondotëse dhe energjinë e rinovueshme.
4. Periudha e funksionimit të zonës është 35 (tridhjetë e pesë) vjet, me të drejtë përsëritjeje deri në 99 (nëntëdhjetë e nëntë) vjet.
5. Ministria përgjegjëse për ekonominë vë në dispozicion pasuritë e paluajtshme shtetërore në zonat kadastrale 8604 dhe 2765, Bashkia Vlorë, me sipërfaqe totale 885 557.6 (tetëqind e tetëdhjetë e pesë mijë e pesëqind e pesëdhjetë e shtatë pikë gjashtë) m², pjesë e Fondit të Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike (FPPMIS), në funksion të zhvillimit të projektit, me tarifë 1 (një) euro/kontrata.
6. Shoqëria “RAMS ALBANIA”, sh.p.k., shpallet zhvillues i zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, me procedurë jokonkurruese si subjekt përfitues, me status “Investim/investitor, procedurë e veçantë”, në bazë të vendimit nr.1, datë 11.2.2026, të Komitetit të Investimeve Strategjike, të ndryshuar.
7. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.774, datë 4.6.2008, “Për shpalljen e “Zonë ekonomike” në Vlorë”, nr.818, datë 11.6.2008, “Për përcaktimin e autoritetit kontraktues, për dhënien e statusit të zhvilluesit të zonës ekonomike, në Vlorë, dhe miratimin e bonusit, në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë”, dhe nr.1547, datë 26.11.2008, “Për miratimin e kontratës të formës BOT, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe “Idea Vlora”, sh.a., për projektimin, financimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e parkut industrial në Vlorë”, shfuqizohen.
8. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore Kadastrës dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
