Qeveria shqiptare dhe Agjencia franceze për Zhvillim nënshkruan sot marrëveshjen e huasë prej 50 milionë eurosh për mbështetjen e sektorit të energjisë.
Marrëveshja u nënshkrua në ambientet e Kryeministrisë nga Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe Drejtoresha Rajonale e ADF për Euro-Azinë, Cecile Couprie.
Në nënshkrimin e marrëveshjes ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj si dhe ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christina Vasac.
Ministrja Ibrahimaj tha pas nënshkrimit të marrëveshjes se “sapo firmosëm marrëveshjen me Agjencinë Franceze për Zhvillim, e cila vjen si rezultat i një bashkëpunimi të vazhdueshëm që stafet teknike kanë bashkëpunuar për tu finalizuar sot. Nëpërmjet kredisë se butë prej 50 milionë euro që u firmos sot mbështetet sektori i energjisë. Kjo marrëveshje është në vijim të reformës së madhe që Shqipëria ka ndërmarrë ndaj energjisë, e cila sot më shumë se kurrë është e nevojshme, në bazë të zhvillimeve ndërkombëtare në tregjet e energjisë”.
Sipas ministres, kjo kredi synon të përmirësojë e konsolidojë strukturën e OSHEE-së, ndarjen e tre operatorëve të saj, si dhe të nxisë funksionimin e bursës së energjisë dhe krijimin e një tregu konkurrues për energjinë.
“Kjo marrëveshje është në vijim të një marrëveshje tjetër kredie po për sektorin e energjisë të financuar nga qeveria gjermane, bazuar në marrëveshjen që qeveria shqiptare, ajo gjermane dhe franceze kanë për nxitjen dhe mbështetjen e sektorit të energjisë”, tha Ibrahimaj.
Couprie: Marrëveshja e huasë, mbështetje reformës në sektorin e energjisë në Shqipëri
Në fjalën e saj pas nënshkrimit të marrëveshjes, Drejtoresha Rajonale e ADF për Euro-Azine, Cecile Couprie tha se “është një hua për politika publike, të cilat synojnë mbështetjen e reformës në sektorin e energjisë në Shqipëri. Bëhet fjalë për një moment të veçantë, i cili shënon dialogun strategjik dhe operacional të frytshëm që është vendosur me autoritet shqiptare për të mbështetur sektorin e energjisë”.
Sipas saj, kjo ngjarje mbart edhe një domethënie të veçantë për Agjencinë Franceze të Zhvillimit sepse është programi i parë i nënshkruar pas regjistrimit tonë në Shqipëri në gusht 2020 dhe pas hapjes së zyrës sonë në Tiranë në tetor 2021.
“Mobilizimi i instrumenteve financiare dhe ekspertizës së Agjencisë Franceze të Zhvillimit përbën një mjet shtesë që kontribuon për intensifikimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomisë mes Francës dhe Shqipërisë. Në vijimësi do të kemi marrëveshje të tjera, faza e dytë e reformës do të shoqërohet me një hua të dytë prej 50 milionë euro dhe do të nënshkruhet së shpejti një hua tjetër për politika publike prej 50 milionë euro, të cilat do të shkojnë për të mbështetur barazinë gjinore në çështjet e mundësive ekonomike”, -theksoi Couprie.