Një ditë pas protestës së studentëve që zgjati mbi tetë orë, nosi përpara Ministrisë së Arsimit, por pastaj u përhap dhe u shoqërua me tensione e përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, Tirana është zgjuar e qetë, por me pasojat e asaj që mund të quhet mirëfilli një “guerrilje urbane”.
Protestues të dhunshëm hodhën gurë dhe sende të forta ndaj institucioneve dhe punonjësve të policisë, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës, ujë me presion dhe shkopinj gome.
Disa qytetarë të plagosur u dërguan në Spitalin e Traumës, ndërsa 40 persona u arrestuan. Gjatë protestës pati të lënduar si mes protestuesve, ashtu edhe mes efektivëve të policisë. Disa policë morën ndihmë mjekësore në spital, ndërsa të shtruar kanë mbetur vetëm protestues.
Pas ngjarjeve gjatë protestës, ku ndaj protestuesve u ushtrua dhunë nga forcat e policisë, pesë efektivë u pezulluan nga detyra.
Tensionet nisën që në pjesën e parë të tubimit, kur protestuesit hodhën vezë dhe përdorën sprej ndaj godinës së Ministrisë së Arsimit. Më pas situata u përshkallëzua, ndërsa u shkulën kangjella dhe u përdorën gurë, tulla dhe sende të tjera të forta.
Për më shumë se tetë orë, protesta u zhvendos në disa pika të kryeqytetit, mes gurëve, flakëve, gazit lotsjellës dhe ujit me presion.
Përplasjet mes protestuesve dhe policisë të cilat nisën pranë Ministrisë së Arsimit, vijuan për disa orë në Rrugën e Durrësit, ndërsa në mbrëmje një pjesë e protestuesve hynë në katin e parë të Bashkisë së Tiranës.
Gjatë protestës u lënduan edhe gazetare që po raportonin nga vendngjarja. Bizneset raportuan gjithashtu dëme të kondiderueshme, ndërsa protestuesit sulmuan edhe pjesë të infrastrukturës, si shtylla, semaforë e kamera sigurie. /ekofin.al
