Edhe pse prej vitesh tashmë Tirana vlon nga betoni dhe ka lëvizje betonieresh e makinerish të rënda orar pa orar, duke sfiduar edhe kufizimet që ka vendosur Bashkia, përsëri ndërtuesit duket se janë të pakënaqur. Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë ngre shqetësimin në lidhje me penalizimet dhe bllokimin e veprimtarisë së kompanive që ushtrojnë aktivitet të ligjshëm në fushën e ndërtimit.
Përmes një letre të dërguar ministrit të Brendshëm e deri te drejtori i Policisë së Shtetit, shoqata shprehet se edhe pas kërkesave të vazhdueshme të bëra, nga Bashkia Tiranë është ndaluar qarkullimi i mjeteve të ndërtimit gjatë ditës.
Si rezultat i këtij ndalimi, shoqëritë punojnë natën. Por edhe ky veprim sjell pengesë duke sjellë përplasje mes Policisë së Rendit dhe punonjësve. Pasi sipas tyre, policia e rendit paraqitet në objektet ku punohet dhe ndalon makineritë që të vijojnë process normal duke sjellë një bllokim të punës në tërësi.
Duke cituar rastet, shoqata e Ndërtuesve thekson se ndalimi i punimeve në një proces të nisur betonimi ka shkaktuar një dëm prej 50 mijë eurosh, ndërsa ndalimi i betoniereve dhe bllokimi i tyre ka shkaktuar një tjetër dëm prej 10 mijë eurosh.
