Tirana është qyteti i të rinjve, por edhe i personave me status “beqar”. Sipas të dhënave të INSTAT, në grupmoshën e të rinjve dominojnë 30-34 vjeçarët me 56.274 persona, që kryesohet nga vajzat me 29,107. Pas Tiranës me 251,914 persona, Kamza ka numrin më të lartë të beqarëve në rang qarku me 39,336 persona.
Në numrin e lindjes dominon grupmosha 55 +, ku 56,450 nëna kanë lindur më shumë se 3 fëmijë. Ndërsa grupmosha 15-34 vjeç, vetëm 4 mijë kanë lindur më shumë se 3 fëmijë dhe njëkohësisht 15,845 prej tyre kanë lindur vetëm 1 fëmijë. Në grupmoshën 35-54 vjeç dominojnë lindjet me 2 fëmijë dhe konkretisht në 45,525 persona.
Ndërsa, sa i përket vendit të lindjes në një shtet tjetër kryeson Greqia me 6101 lindje dhe Italia me 2936 të lindur aty. Nga ata që banojnë në Tiranë, por kanë lindur në qytete të tjera kryesojnë dibranët me 63,692 persona, të ndjekur nga kuksianët me 48,466 persona.
Tirana ka gjithashtu numrin më të lartë të nënave të vetme me 21,058 persona. Çiftet e martuara ose që bashkëjetojnë, me fëmijë, me persona joanëtarë të bërthamës janë 13,992.
Në Tiranë janë 717, 234 persona me aftësi të kufizuara, ku dominojnë femrat me 371,151 persona. Nga 34,748 persona që kanë vështirësi, numrin më të lartë e kanë grupmoshat mbi 60 vjeç.
Tirana, gjithashtu, numëron numrin më të lartë të qiramarrësve me 39,572 banesa dhe 20,939 banesa të zakonshme me marrëveshje tjetër banimi.
Sa i përket besimit fetar, 369,190 janë myslimanë, të ndjekur nga bektashinjtë me 37,515 besimtarë, ndërsa tri degët kryesore të krishtërimit përfshirë katolikët, ortodoksët dhe protestantë ungjillorë, së bashku, numërojnë 77,622 besimtarë./ekofin.al
