Në Evropën e kohëve të sotme, ndjenja se mund të mbështetesh te të tjerët në momentet e vështira mbetet një nga treguesit më të rëndësishëm të cilësisë së jetës urbane. Sipas raportit të Bashkimit Evropian mbi qytetet, mesatarisht 72% e banorëve besojnë se do të marrin ndihmë materiale në rast nevoje. Por pas kësaj shifre fshihet një realitet i pabarabartë, ku disa qytete ndihen të sigurta dhe të mbrojtura, ndërsa të tjera përballen me pasiguri sociale të thellë.
Në këtë hartë evropiane të solidaritetit urban, Tirana renditet mes qyteteve me performancën më të dobët. Vetëm 59% e banorëve të saj shprehen se ndihen të sigurt se do të marrin ndihmë materiale kur të kenë nevojë. Kjo shifër e vendos kryeqytetin shqiptar jo vetëm nën mesataren europiane, por edhe në të njëjtin grup me qytete të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, ku niveli i besimit social mbetet i ulët.
Në fundin e renditjes ndodhet edhe Shkupi, me vetëm 51%, ndërsa pranë Tiranës janë qytete si Gjeneva, Stambolli dhe Antalia, të gjitha me rreth 58%. Këto shifra tregojnë se në shumë zona të Evropës Juglindore, ndjenja e mbështetjes sociale është ende e brishtë dhe e pasigurt.
Në kontrast të fortë me këtë realitet qëndrojnë qytetet e Evropës Veriore dhe Qendrore, ku solidariteti dhe besimi ndërqytetar janë shumë më të konsoliduar. Në krye të listës renditen qytete si Gdańsk me 88%, Cluj-Napoca me 87% dhe Kopenhagen me 86%. Po ashtu, Helsinki, Oslo dhe Amsterdami shfaqin nivele të larta sigurie sociale. Në këto qytete, mbi 80% e banorëve besojnë se nuk do të mbeten vetëm përballë vështirësive.
Raporti thekson se në vendet veriore të BE-së, kjo përqindje arrin mesatarisht 82%, ndërsa në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi bie në rreth 59%. Diferenca nuk është thjesht statistikore: ajo pasqyron mënyrën se si funksionojnë institucionet, politikat sociale, rrjetet komunitare dhe vetë besimi i njerëzve tek njëri-tjetri.
Për Tiranën, kjo situatë përkthehet në një pasqyrë shqetësuese. Niveli i ulët i sigurisë për mbështetje materiale sugjeron dobësi në sistemet e mbrojtjes sociale, pabarazi ekonomike dhe një ndjenjë pasigurie që shoqëron jetën e përditshme urbane. Urbanizimi i shpejtë, migrimi i brendshëm dhe fragmentimi i komuniteteve kanë dobësuar lidhjet tradicionale të solidaritetit, ndërsa besimi në institucionet publike mbetet i kufizuar.
Sipas studimit, ndjenja se mund të marrësh ndihmë në raste nevoje lidhet drejtpërdrejt me shëndetin mendor, mirëqenien dhe kënaqësinë me jetën në qytet. Aty ku njerëzit ndihen të mbështetur, rritet edhe optimizmi, stabiliteti social dhe cilësia e marrëdhënieve njerëzore. Në të kundërt, aty ku kjo ndjenjë mungon, rritet pasiguria dhe ndjesia e vetmisë sociale.
Në disa qytete europiane, si Luksemburg apo Gjeneva, raporti vëren se njerëzit janë relativisht të kënaqur me jetën, edhe pse nuk ndihen shumë të mbështetur materialisht. Por në rastin e Tiranës, niveli i ulët i sigurisë sociale shoqërohet edhe me vlerësime më kritike për cilësinë e jetës. Me vetëm 59% të banorëve që besojnë se do të marrin ndihmë në raste vështirësie, kryeqyteti shqiptar përballet me një nga sfidat më të mëdha të zhvillimit të tij: ndërtimin e një qyteti ku mbështetja, solidariteti dhe siguria sociale të mos jenë përjashtim, por pjesë normale e jetës së përditshme./ekofin.al

