Viti 2024 ka shënuar një bum të mëtejshëm të ndërtimit, lejeve dhe sipërfaqëve, tashmë kjo edhe e certifikuar me statistikat zyrtare të publikuara nga INSTAT. Ashtu si edhe vitet e tjera, Tirana mbetet në krye të listës si për numër lejesh, ashtu edhe për sipërfaqe ndërtimi, me një rritje të fortë, krahasuar me vitin 2023.
Gjatë vitit 2024, janë miratuar gjithsej 1.336 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 1.602 leje ndërtimi të miratuara në vitin 2023, duke shënuar një rënie prej 16,6 %. Nga këto leje, 494, ose 37% e lejeve në rang vendi janë akorduar në Tiranë.
Gjatë vitit 2024, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja është 2.498.916 m2, nga 2.115.819 m2 miratuar në vitin 2023, duke shënuar një rritje prej 18,1 %. Nga kjo, 1,932,127 metra katrorë leje ndërtimi janë akorduar në Tiranë.
Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 106,4 miliardë lekë në vitin 2024, nga 89,6 miliardë lekë miratuar gjatë vitit 2023, duke shënuar një rritje prej 18,8 %.
Akordimi i një sasi kaq të madhe sipërfaqeje për leje ndërtimi në Tiranë në vitin 2024, një shifër rekord, më e larta historike, nënkupton se të paktën edhe për tre vitet e ardhshme, ndërtimet do të vijojnë të jenë të pranishme thuajse në çdo lagje të Tiranës. Nisur nga kategorizimi i lejeve të ndërtimit, ndërtesa për qëllime banimi vijojnë të dominojnë, por nuk mungojnë edhe lejet për kulla për qëllime biznesi, zyra e ambjente tregtare.
Në tremujorin e katërt 2024 janë miratuar gjithsej 317 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 303 leje të miratuara në tremujorin e katërt 2023, duke shënuar një rritje prej 4,6 %. Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e katërt 2024 është 482.854 m2, nga 592.660 m2 miratuar në tremujorin e katërt 2023, duke shënuar një rënie prej 18,5 %. Në tremujorin e katërt 2024, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 25.8 miliardë lekë, nga 25.3 miliardë lekë miratuar në tremujorin e katërt 2023, duke shënuar një rritje prej 1,8 %. /ekofin.al


