Në vitin 2024, është vënë re një ulje prej 3.5% e numrit të veprave penale krahasuar me vitin 2023.
Sipas raportit të Ministrisë së Brendshme, gjatë këtij viti, në nivel kombëtar janë regjistruar gjithsej 32,654 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 30,287 vepra penale ose 93% prej tyre.
Numri i personave të dëmtuar nga veprat penale këtë vit rezulton të jetë 17,760 nga 17,021 që kanë qenë në vitin 2023. Nga totali i të dëmtuarve 5,218 janë të gjinisë femërore dhe 12,542 të gjinisë mashkullore. Numri i autorëve të implikuar në këto aktivitete kriminale është 40,048 autorë, prej të cilëve janë arrestuar në kushtet e flagrancës 8,766, janë ndaluar 1,580 autorë, 27,337 ndiqen në gjendje të lirë, 2,268 janë larguar dhe 97 të ndryshëm.
Krimet kundër personit
Statistikat tregojnë se janë evidentuar gjithsej 3,885 vepra penale kundër personit, nga të cilat janë zbuluar 3,763 ose 96% e tyre. Në krahasim me vitin e mëparshëm kanë ndodhur 42 ose 7% vepra penale më pak. Gjatë vitit 2024, janë regjistruar 41 vrasje me dashje, nga të cilat 35 janë zbuluar, duke shënuar një rritje prej 6 vrasjesh krahasuar me vitin 2023. Po ashtu, janë regjistruar 5 vrasje nga pakujdesia, 1 më shumë se viti i kaluar. Sa u përket tentativave për vrasje, janë evidentuar 83 raste, nga të cilat 78 janë zbuluar, një rënie prej 11 rasteve krahasuar me vitin 2023.
Qarku i Tiranës është qarku në të cilin kanë ndodhur pjesa më e madhe e veprave penale edhe për vitin 2024, ndërsa Qarku i Dibrës është qarku me numrin më të vogël të veprave penale të evidentuara gjatë vitit 2024, duke vijuar në të njëjtën renditje edhe në raport me vitin e kaluar.
Janë referuar materialet në Prokurori, bazuar në nenin 130/a, për 2,139 raste të dhunës në familje, 228 raste më shumë, ose 10.7% më shumë se gjatë vitit 2023, ku janë referuar për 130/a, 1911 raste. Janë trajtuar me kërkesëpadi “Për lëshimin e Urdhrit të Menjëhershëm të 8 Mbrojtjes/Urdhrit të Mbrojtjes”, 2,934 raste të dhunës në familje, duke shënuar rritje me 7% në raport me vitin 2023 ose 204 raste më shumë të trajtuara me kërkesëpadi.
Krimet ndaj pronës dhe pasurisë
Evidentuar gjithsej 4,284 vepra penale kundër pasurisë, nga të cilat janë zbuluar 3,573 ose 86% e tyre. Krahasuar me vitin e kaluar rezultojnë 599 vepra penale më pak, duke shënuar rënie me 12.3 % të veprave penale kundër pasurisë. Nga veprat penale kundër pasurisë nuk është shënuar asnjë rast i vjedhjeve me pasojë vdekjen, ndër të tjerat sipas rëndësisë janë: vjedhje me armë 6 raste, duke shënuar rënie me 40%, vjedhje banke 4, nga të cilat 3 janë zbuluar dhe vjedhje me dhunë 74, nga të cilat 67 janë zbuluar./ekofin.al
