Qarkullimi i automjeteve në Tiranë është rënduar ndjeshëm këtë të premte, me radhë kilometrike në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit. Reshjet e vazhdueshme të shiut dhe fluksi i lartë i automjeteve në orët e mëngjesit kanë ngadalësuar lëvizjen, duke shkaktuar vonesa për punonjësit dhe vështirësi për prindërit që shoqërojnë fëmijët në shkollë.
Situata është paraqitur veçanërisht e rënduar përgjatë Unazës së Madhe, në Laprakë, Don Bosko, Ali Dem, Astir dhe Sauk. Radhë të gjata janë krijuar edhe në segmentin nga Kopshti Zoologjik drejt Liqenit të Thatë, ku drejtuesit e mjeteve janë përballur me lëvizje të ngadaltë dhe pritje të zgjatura.
Shumë punonjës të administratës dhe kompanive private kanë mbërritur në vendet e punës me vonesa nga 40 minuta deri në një orë, për shkak të bllokimit të qarkullimit.
Ndërkohë, ekofin.al bisedoi me prindër që shoqërojnë fëmijët me makina për në shkollë. Disa prej tyre u shprehën se ishin detyruar të ktheheshin në shtëpi pa arritur në destinacion, duke e përshkruar trafikun si “të papërshkrueshëm”.
Moti i keq ka vështirësuar më tej qarkullimin në një mëngjes me ngarkesë të lartë në rrugët e kryeqytetit. Drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar, të ulin shpejtësinë dhe të ruajnë distancën e sigurisë, veçanërisht në segmentet ku trafiku është i rënduar.
