Tirana Bank njofton emetimin, në datë 07.06.2022, të obligacioneve korporative afatgjata në vlerën 5 milionë Euro. Këto obligacione kanë një afat 7 vjeçar me një normë fikse interesi prej 3,30% në vit, të pagueshme çdo gjashtë muaj. Fondet e realizuara nga emetimi i obligacioneve do të rrisin kapitalin shtesë të Bankës, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe miratimet nga autoritetet rregullatore.
Drejtuesja e Departamentit të Financës të Tirana Bank, Znj. Elvira Kapoli deklaroi: “Me kënaqësi njoftojmë një tjetër emetim me sukses, të obligacioneve korporative të Bankës sonë. Ky emetim u prit shumë mirë nga komuniteti i investitorëve dhe u finalizua me kushte të favorshme, duke konfirmuar situatën e konsoliduar financiare të Bankës sonë dhe besnikërinë e klientëve tanë. Vizioni ynë është që të rrisim mbështetjen financiare për klientët tanë dhe për ekonominë lokale, si dhe të implementojmë strategjinë tonë të rritjes së qëndrueshme të aktivitetit.”
Obligacioni është nënshkruar plotësisht nga klientë individë dhe klientë premium. Kërkesa ishte më e madhe krahasuar me ofertën fillestare të këtij obligacioni, që konfirmon nivelin e lartë të besimit të investitorëve tek Tirana Bank dhe Grupi Balfin për të ndërmarrë investime afatgjata.