10,7 milionë pasagjerë fluturuan nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës përgjatë vitit 2024, ose 48% më shumë sesa në vitin 2023, duke e kurorëzuar atë si “mbretin” e rajonit për herë të parë në historinë e tij. Aq mbresëlënëse ishte rritja, sa Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës tejkaloi për herë të parë në vitin 2024 edhe Aeroportin Nikola Tesla të Beogradit, marrë në konsideratë këtu edhe faktin se popullsia e Serbisë (6.6 milionë banorë) është shumë më e lartë sesa ajo e Shqipërisë (2.7 milionë banorë).
Ekofin.al ka analizuar shifrat e pasagjerëve në të gjithë aeroportet e rajonit dhe rezulton se Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës tashmë nuk po konkurron vetëm me vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe me shtetet e BE-së, siç është rasti me Aeroportin e Zagrebit (4.3 milionë pasagjerë, 16% më shumë se në 2023).
Me 10.7 milionë pasagjerë dhe 68,346 fluturime përgjatë 2024 (me rritje 35%), Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është kthyer tashmë në qendrën kryesore rajonale të fluturimeve. Kjo e vërtetuar dhe e certifikuar tashmë edhe nga shifrat e vitit të kaluar, ku gjithnjë e më shumë qytetarë nga vendet e rajonit, kryesisht nga Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, kanë udhëtuar në rrugë tokësore drejt Rinasit, për të fluturuar nga aty për destinacionet e preferuara evropiane. Faktorët kryesorë që kanë ndikuar këtë zgjedhje të tyre janë kostot më të lira të udhëtimeve, por edhe numri më i lartë i destinacioneve në krahasim me vendet e tyre.
Sipas shifrave zyrtare, nga Aeroporti i Prishtinës fluturuan 4 milionë pasagjerë gjatë vitit 2024, me një rritje prej 19.2%, e dyts më e lartë në rajon, pas Tiranës. Nga aeroporti i Shkupit, fluturuan mbi 3.1 milionë pasagjerë gjatë vitit të kaluar, me një rritje prej vetëm 1% krahasuar me vitin 2023. Nga dy aeroportet e Malit të Zi, Podgoricë dhe Tivat, fluturuan 2.9 milionë pasagjerë, ose 15% më shumë se një vit më parë.
Në 10 dhjetor 2024, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) shënoi përmes një ceremonie të posaçme pasagjerin e 10 miliontë, kur thuajse në të njëjtën periudhë Beogradi shënonte pasagjerin e 8 miliontë, ndërsa Kosova, edhe ajo përmes një ceremonie shtetërore festoi pasagjerin e 4 miliontë në Aeroportin e Prishtinës.
Rritja mbresëlënëse e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës erdhi pas katër viteve investime me vlerë mbi 100 milionë Euro të ndërmarra nga Kastrati Group, që nënshkroi në fund të vitit 2019 kontratën koncesionare, pas menaxhimit të aeroportit fillimisht nga një kompani gjermane, e më pas një kineze.
Objektivi për këtë vit, i shprehur nga drejtuesit e aeroportit është arritja e shifrës ambicioze të 12 milionë pasagjerëve. Investimet masive vijojnë, me synim rritjen e kapaciteteve të terminalit, i cili do të trefishohet, për atë arritur në 100 mijë m2. Gjithashtu janë shtuar vendqëndrimet e avionëve, duke arritur në 29 në total, me synimin për t’i rritur më tej. Në proces janë investimet për zgjerimin e vendparkimeve, si edhe modernizimin e mëtejshëm teknologjik të aeroportit. Por objektivi kryesor tashmë, i shprehur edhe nga Presidenti i Kastrati Group, z. Shefqet Kastrati, është zgjerimi i pistës, për të realizuar brenda vitit 2026 fluturimet transoqeanike. Një ëndërr e kahershme, por tashmë shumë pranë realizimit. Shqiptarët së shpejti nga TIA në DUA do të fluturojnë vetëm me një avion. /ekofin.al

