Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka reaguar zyrtarisht për të qetësuar çdo shqetësim mbi furnizimin me karburant për avionët, duke garantuar se operimet vijojnë normalisht dhe pa asnjë ndërprerje.
Përmes një njoftimi publik, aeroporti thekson se nuk ekziston asnjë problem në furnizimin me karburant për linjat ajrore që operojnë nga Tirana, duke siguruar se të gjitha fluturimet e planifikuara po zhvillohen sipas grafikut.
Sipas TIA-s, kompanitë ajrore po marrin shërbim të plotë dhe të pandërprerë furnizimi me karburant, në përputhje me standardet më të larta të sigurisë dhe operimit. Ky sqarim vjen në një moment kur çdo paqartësi mbi zinxhirin e furnizimit në sektorë strategjikë, si aviacioni, mund të ndikojë drejtpërdrejt në besimin e operatorëve dhe pasagjerëve.
Aeroporti nënvizon se mbetet i angazhuar për të garantuar vijueshmërinë e operimeve dhe për të ofruar shërbime cilësore për të gjithë përdoruesit, në një kohë kur trafiku ajror në vend po vijon të rritet ndjeshëm.
Ky reagim vjen në kohën kur një pjesë e aeroporteve evropiane kanë shfaqur problematika, që vijnë si pasojë e reduktimit global të furnizimit me karburant për avionët nga konflikti SHBA-Iran, që ka sjellë bllokime të Ngushticës së Hormuzit.
