Plazhet në rivierën e vendit po bëhen gjithnjë e më të njohura, por nëse shikoni në brendësi të vendit, do të gjeni fshatra të qetë, lumenj të egër dhe aventura të pazakonta, shkruan Laura Sanders për “The Times”.
Gati 12 milionë vizitorë erdhën në Shqipëri vitin e kaluar, shumë prej tyre drejt rivierës shqiptare, të joshur nga premtimi për pushime të përballueshme dhe me diell në plazh. Por e vërteta është se mbingarkesa turistike tashmë po ndjehet, çmimet janë në rritje dhe investimet ndërkombëtare — përfshirë edhe nga Jared Kushner, dhëndri i Presidentit Trump — po e transformojnë fshatrat tradicionalë në resorte plazhi.
Nëse ideja për të marrë rreze vetëm pak metra larg familjes Trump ose për të qëndruar në një hotel që mund të ndodhej kudo në botë nuk ju tërheq, ekziston ende një pjesë e rivierës shqiptare që kolosët e pushimeve me paketa dhe manjatët e hoteleve nuk e kanë zbuluar. “Undiscovered Balkans”, një agjenci e vogël britanike që specializohet në aventura jashtë skemës klasike, ka nisur një tur me grupe të vogla për të nxjerrë në pah thesare më pak të njohura të jugut të Shqipërisë.
Unë iu bashkova këtij udhëtimi në maj dhe kalova një javë duke eksploruar qytete bregdetare më pak të njohura, përpara se të hyja në brendësi të vendit, ku vizitova vendet e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, notova në ujëvara të fshehura, qëndrova në bujtina fermash në male dhe bëra rafting në një nga lumenjtë e fundit të egër të vërtetë të Europës. Udhëtimin e përfunduam në plazhe me guralecë, pa turma, 200 metra mbi nivelin e detit, në një fshat peshkatarësh në bregun e Liqenit të Ohrit.
Mbërrita në Qeparo, një nga fshatrat më të qetë bregdetarë në qarkun e Vlorës, natën, pas një udhëtimi treorësh nga Tirana. U zgjova me pamjen e Qeparoit të Vjetër, fshatit origjinal bujqësor në shpatin e malit, që rridhte poshtë për të takuar Qeparon e Ri në vijën bregdetare, ku baret e plazhit dhe qendrat e qirasë së varkave po përgatiteshin për sezonin. Festa e parë e pushimeve nisi në verandë me pamje nga kjo skenë.
Zonja e shtëpisë ishte Mirela Kokedhima, një nënë e vetmuar pasi fëmijët ishin larguar, që drejton bujtinën në fermën e saj në kodër, diku mes dy Qeparove. Ajo që arriti të gatuajë pas një stuhie të fortë me rrufe dhe ndërprerje të energjisë elektrike ishte mbresëlënëse dhe e shoqëruar me buzëqeshje: vezë, djathë dhie, kos, sallatë, ëmbëlsira të bëra vetë me çokollatë, sallamë dhe kafe turke aq e trashë sa mund të përtypje.
Në këtë fazë të hershme të sezonit, deti ishte shumë i trazuar për kayak, ndaj ditën e parë e kaluam në një shëtitje përgjatë bregdetit. Grupi ynë prej tetë britanikësh, nga të tridhjetat në të gjashtëdhjetat, u end përgjatë shkëmbinjve gëlqerorë me pamje epike të fshatrave tradicionale dhe ujërave vezulluese, me Korfuzin një siluetë e mjegullt përtej gjirit. Aroma e luleve të egra dhe trumzës ishte në ajër, zogjtë cicëronin nga degët përreth. Pas 15 kilometrash zbarkuam në plazhin e Borshit dhe freskuam këmbët e lodhura në ujërat e freskëta të Jonit, me një birrë të merituar në dorë.
Ditën tjetër lamë bregun pas dhe iu bashkuam guidës sonë, Alfi Pepaj, në një udhëtim me 4×4 nëpër male drejt Gjirokastrës, qytetit të periudhës osmane të mbrojtur nga UNESCO. Peizazhi ishte dramatik, me maja të gjelbra të mbuluara me bar dhe livadhe të hapura, pa asnjë njeri për kilometra të tërë. Në një moment ndaluam në dukje në mes të askundit dhe ndoqëm Pepajn poshtë në një kanion, ku një ujëvarë binte me zhurmë. Ndërsa notonim, një kor i bretkosave shqiptare na vrojtonte nga jastëkët e tyre prej myshku.
Një orë më vonë mbërritëm në Gjirokastër dhe menjëherë na magjepsi. Akomodimi ynë ishte në një hotel karakteristik brenda një shtëpie osmane me mobilim tradicional. Shumë e njohin Gjirokastrën për pazarin e vjetër tradicional që ngjason me Mostarin e Bosnjës apo Krujën e Shqipërisë së veriut. Por ajo është gjithashtu vendlindja e diktatorit komunist Enver Hoxha, që sundoi Shqipërinë për 40 vite deri në vdekjen e tij në 1985. Është e pabesueshme se si një njeri aq i egër mund të vijë nga një vend kaq i bukur dhe paqësor.
Kalaja e Gjirokastrës e shekullit të 13-të është e ruajtur në mënyrë të jashtëzakonshme dhe ofron pamje të gjëra të rajonit, ndërsa muret e saj prej guri ofrojnë freski nga vapës së verës. Edhe pse e njohur për turistët, çmimet ishin të arsyeshme dhe një Aperol Spritz më kushtoi vetëm 6 paund.
Të nesërmen morëm përsëri rrugën drejt maleve në një tjetër tur me 4×4, ku na priste një tjetër peizazh spektakolar. U ngjitëm nëpër rrugë të ngushta me kthesa të rrezikshme drejt fshatit Hoshtevë në krahinën fqinje të Zagorisë. Pas disa ndalesave për foto, zbritëm drejt kishës së shekullit të 12-të që përmban disa nga afresket dhe ikonat më të ruajtura të Shqipërisë.
U rikthyem në bujtinën e Kristina dhe Ladi Telo-s për një tjetër festë gastronomike shqiptare. Hëngrëm në verandën e tyre të zbukuruar me lule, pemë agrumesh dhe fole dallëndyshesh, pa asnjë zhurmë apo shpirt tjetër përreth. Nuk mund të besoja sasinë e ushqimit të freskët që dilte nga një kuzhinë më e vogël se shumë dollapë kuzhine të njerëzve.
Me ndihmën e përkthimit të Pepajt, fola me Kristinën dhe mësova se e kishin kthyer shtëpinë në bujtinë 12 vite më parë pasi kishin parë një nevojë për të pritur alpinistë që kalonin aty pranë. Gjërat morën një kthesë të papritur kur ajo më tregoi veshjen e saj tradicionale të bariut dhe përfundova duke e provuar për grupin.
Qëndrimi ynë i radhës ishte në një fermë 120-vjeçare e restauruar që shikon mbi luginën e Vjosës, ku rrjedh një nga lumenjtë më të egër të Evropës. Për të arritur aty duhej të kalonim një rrugë të ashpër guri, pranë greminave të rrezikshme — por ia vlejti çdo çast. Tani e shpallur ndërtesë me rëndësi, shtëpia e familjes së Kristaq Cullufes i kishte shpëtuar konfiskimit nga komunistët, por për një kohë të gjatë kishte qenë e braktisur. Fshati është vetëm hija e vetes së tij dikur, pasi shumë banorë janë larguar për punë.
Pas rënies së komunizmit në vitin 1991, familja Cullufe u kthye nga qyteti i afërt i Përmetit dhe nisi restaurimin e shtëpisë. Në dhomën e katit të parë qëndronte “peja” e nënës së tij, një arkë druri ku nuset shqiptare mbanin pajën e martesës. Në verandë, ku hanim me tingujt e Vjosës që rrjedh më poshtë, ishin vendosur artefakte të tjerë: mjete bujqësore të vjetra, makina qepëse dhe telefona.
Peizazhi pastoral i maleve mbushte sërish dritaret tona ditën tjetër, teksa shkonim drejt Liqenit të Ohrit, ndalesës sonë të fundit. Por para kësaj, u argëtuam në Vjosë duke bërë rafting, hedhje nga shkëmbinjtë dhe notim të egër. Mbërritëm sërish në errësirë, duke lënë pamjet e liqenit si surprizë për në mëngjes.
Duke ndarë kufirin me Maqedoninë e Veriut, Ohrid është një nga liqenet më të vjetër të Evropës dhe mbrohet nga UNESCO. Ne qëndruam në fshatin e qetë peshkatar të Linit, një destinacion turistik në hapat e parë të zhvillimit, ku njerëzit zotërojnë më shumë anije sesa makina.
Dita jonë e fundit ishte aktive — ecje dhe kayak në mëngjes në plazhe të fshehura me guralecë dhe në pasdite një shëtitje me biçikletë përgjatë pjesës shqiptare të liqenit. Nuk ka shezlongë me çmime të kripura këtu. Rruga e këndshme prej 19 kilometrash na kaloi pranë kopshteve bujqësore, bunkerëve të mbuluar nga bimësia, enklavave të qeta ku rosat kolliteshin pas kallamishteve, dhe peshkatarëve që shisnin kapjen e tyre në anë të rrugës.
U ndalëm në qytetin më të madh të Pogradecit, që ka një ndjesi të ngjashme me qytetet bregdetare britanike: fëmijët qeshnin në karuselitë e panairit, era e pambukut të ëmbël dhe petullave ishte gjithandej, dhe burra të moshuar pinin cigare dhe raki ndërsa luanin shah në shëtitore. Pogradeci është një qytet turistik që e ka gjetur balancën e duhur — i gjallë, por jo i mbingarkuar.
Nëse preferoni të kaloni pushimet shtrirë në plazh me një koktejl në dorë, ky udhëtim ndoshta nuk është për ju. Por nëse kërkoni të përjetoni një anë më autentike të Shqipërisë, me aventura në natyrë dhe shkëmbime kulturore të paçmueshme, atëherë ndoshta është pikërisht për ju./Përshtati nga The Times, ekofin.al




