Me fluturimet direkte nga Abu Dhabi që përfundojnë në fund të gushtit, tani është momenti për të zbuluar këtë qytet intriguese ballkanik me një udhëtim ekonomik, shkruan Phil Johnson për median arabe “The National”.
Ka qenë e disponueshme për katër vite, por kanë mbetur vetëm edhe katër javë para se Wizz Air të ndërpresë shërbimin e saj direkt nga Abu Dhabi në Tiranë. Koha për të përjetuar një arratisje të lirë në kryeqytetin dinamik të Shqipërisë po mbaron. Kjo linjë buxhetore, e hapur në shtator 2021, do të mbyllet më 31 gusht.
Me fluturime pesë-orëshe që operojnë të hënave, të mërkurave dhe të premteve, është ende e mundur të shkosh shpejt dhe të “shënosh” Tiranën përpara se të mbyllet linja.
Një përzierje magjepsëse e ndikimeve osmane, të periudhës komuniste dhe bashkëkohore, ky qytet ballkanik, i rrethuar nga vargmali i Skënderbeut, është një destinacion intriguese. Qendra e qytetit ndodhet vetëm 30 minuta larg nga aeroporti me autobus dhe është mjaft kompakte për të lëvizur fare lehtë në këmbë.
Po, mund të jetë nxehtë në gusht. Por Tirana është rreth 8°C më freskët se Abu Dhabi gjatë verës, ndaj ecjet për të eksploruar atraksionet janë të përballueshme.
Dhe ka mjaft atraksione interesante për të kënaqur udhëtarët kureshtarë për 48 orë, veçanërisht ata me buxhet të kufizuar.
Sheshi Skënderbej: Zemra e qytetit

Shumica e udhëzuesve rekomandojnë që vizita në Tiranë të nisë nga Sheshi Skënderbej – sheshi qendror i qytetit, që mban emrin e heroit kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ky komandant ushtarak vdiq në vitin 1468 dhe njihet për udhëheqjen e kryengritjes kundër Perandorisë Osmane.
Sheshi është i rrethuar nga ndërtesa ikonike si Muzeu Historik Kombëtar dhe Teatri i Operës. Statuja e kalëruar e Skënderbeut në qendër është një pikë referimi domethënëse, me sfondin që reflekton të kaluarën komplekse dhe të tashmen e gjallë të qytetit.
Xhamia e Et’hem Beut: Një dëshmi e qëndresës

Ngjitur me sheshin ndodhet Xhamia e Et’hem Beut, një perlë arkitektonike dhe një simbol i qëndresës fetare.
E ndërtuar në fund të shekullit XVIII dhe fillim të XIX, freskot e saj të ndërlikuara dhe arti delikat janë të rrallë për arkitekturën islamike, duke përshkruar peizazhe natyrore dhe skena të qeta.
Xhamia i mbijetoi mrekullisht politikave ateiste të regjimit totalitar, dhe sot është një simbol i ringjalljes së besimit dhe shpirtit të pathyeshëm shqiptar. Hyrja është falas dhe vizita zgjat rreth gjysmë ore.
Bunk’Art 1: Zbulimi i një të kaluare të fshehur

Vetëm pak minuta në këmbë larg nga xhamia ndodhet një nga atraksionet më tërheqëse të qytetit.
Bunk’Art 1 është një rrjet bunkerësh të nëndheshëm të ndërtuar për elitën politike në rast sulmi bërthamor. Sot, ai është kthyer në një muze dhe hapësirë arti bashkëkohor.
Vizitorët mund të zhyten në historinë sekrete të komunizmit shqiptar dhe të eksplorojnë korridoret dhe dhomat e ftohta. Ekspozitat dokumentojnë paranojën dhe shtypjen e regjimit të Enver Hoxhës, duke ofruar një pasqyrë të fuqishme të një epoke të shkuar. Hyrja kushton 500 lekë (rreth 20 dirhamë) dhe nevojiten të paktën një orë për ta shijuar plotësisht.
Ngjitja në Piramidën e Tiranës: Histori me pamje

Pas eksplorimit nëntokësor, për pak minuta mund të shkosh te një tjetër atraksion – këtë herë për të parë qytetin nga lart.
Ngjitja në Piramidën e Tiranës – një aktivitet falas – ndjehet si një udhëtim mbi një relike betoni të historisë. Ndërtuar në vitin 1988 si muze për nder të diktatorit komunist Enver Hoxha, sot piramida simbolizon transformimin e identitetit shqiptar. Muret e pjerrëta të mbuluara me grafite ofrojnë një ndjesi të veçantë, ndërsa në maj hapet një panoramë që përfshin qytetin dhe malet përreth.
Stadiumi “Air Albania”: Një pikë referimi moderne sportive

Stadiumi Kombëtar është një tjetër simbol modern i qytetit. Vetëm 10 minuta larg nga Piramida në këmbë, një tur i udhëzuar në stadiumin “Air Albania” ia vlen për të apasionuarit pas sportit.
Hapur në vitin 2019, ai është ndërtuar mbi ish-stadiumin “Qemal Stafa” dhe ka një stil kompakt anglez, me një kapacitet prej 22,000 vendesh. Çdo ndeshje e kombëtares shitet plotësisht.
Turi i udhëzuar kushton 1,500 lekë (rreth 65 dirhamë) dhe zgjat rreth dy orë, duke përfshirë vizita pranë fushës, dhomave të zhveshjes dhe zonave VIP. Udhërrëfyesi entuziast në anglisht ofron informacion të thelluar për pasionin e kombit ndaj futbollit.
Parku i Madh dhe liqeni: Një oaz i gjelbër

Vetëm pesë minuta larg nga stadiumi, përmes Sheshit “Nënë Tereza”, ndodhet Parku i Madh i Tiranës dhe liqeni artificial – një hapësirë e qetë dhe e dashur për vendasit.
Parku ofron shtigje për ecje dhe vrapim, kafene dhe vende për t’u çlodhur larg zhurmës së qytetit. Ecja rreth liqenit (5.3 km) zgjat rreth 45 minuta. I formuar nga një digë në mesin e shekullit XX, liqeni ofron pamje piktoreske dhe është i mbushur me zhurmën e zogjve.
Pse tani është koha e duhur
Nga bunkerët e shkatërruar të Luftës së Ftohtë, te shëtitjet buzë liqenit dhe pamjet nga majat e ndërtesave me grafite, Tirana ka më shumë për të ofruar sesa ç’duket në pamje të parë. Një mbrëmje në Bllok – zona më moderne dhe plot jetë e qytetit me kafene e restorante – është mënyra perfekte për të përmbyllur ditën dhe për të reflektuar mbi gjithçka që nuk u arrit të shihej.
Ngjitja me teleferik në malin e Dajtit, vizita në Pazarin e Ri, apo ecja përmes Kalasë së Tiranës – një fortesë mesjetare e shndërruar në rrugë pedonale me dyqane artizanale – janë vetëm disa nga atraksionet e tjera që mund të përfshihen në itinerar.
Tirana është një thesar i mahnitës, i lehtë për t’u eksploruar. Me përfundimin e fluturimeve direkte nga Abu Dhabi, ky muaj mund të jetë shansi i fundit i lehtë (për tani) për të shijuar këtë kryeqytet që po ndryshon me ritme të shpejta./Përshtati nga The National, ekofin.al

